UBT News

​Trump akuzohet për përpjekje për ndryshim rezultati në zgjedhjet e vitit 2020

Ish-presidenti amerikan Donald Trump po përballet me katër akuza për përpjekje për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në favor të tij të cilat ai i humbi ndaj presidentit aktual amerikan, Joe Biden.

BBC raporton se aktakuza e ngritur në gjykatën federale të qarkut në Uashington, e ngarkon Trumpin me akuzën e komplotit për të mashtruar Shtetet e Bashkuara, akuzë për komplot për të penguar një procedurë zyrtare, pengim dhe përpjekje për të penguar një procedim zyrtar dhe komplot kundër të drejtave.

Gjatë 45 faqeve, aktakuza e ngritur nga prokurori i posaçëm Jack Smith shpjegonte në detaje se si Trump dhe aleatët e tij përhapën me vetëdije pretendime të rreme për mashtrime zgjedhore dhe u përpoqën të bllokonin certifikimin e zgjedhjeve më 6 janar.

Trump, 77 vjeç, i cili kandidon sërish për president, mohoi akuzat. Në rrjetet sociale ai e quajti rastin ndaj tij si “qesharak”.

Aktakuza rendit gjithashtu gjashtë bashkëpunëtorë të cilët luajtën role qendrore në komplotin për të mbajtur Trumpin në detyrë.

Sipas BBC, ndërsa bashkëpunëtorët janë të paidentifikuar, përshkrimet e pesë nga gjashtë të akuzuarit përputhen me ato të avokatëve të Trump, Rudy Giuliani, Sidney Poëell, John Eastman, Ken Chesebro si dhe ish-zyrtarit të departamentit të drejtësisë amerikane Jeff Clark.

“Pavarësisht se kishte humbur, i pandehuri ishte i vendosur të mbetej në pushtet. Pra, për më shumë se dy muaj pas ditës së zgjedhjeve më 3 nëntor 2020, i pandehuri përhapi gënjeshtra se kishte pasur mashtrim përcaktues për rezultatin në zgjedhje dhe se ai në fakt fitoi. Këto pretendime ishin të rreme dhe i pandehuri e dinte se ishin të rreme. Por i pandehuri i përsëriti dhe i shpërndau gjerësisht ato gjithsesi – për t’i bërë pretendimet e tij të rreme me vetëdije të duken legjitime, për të krijuar dhe atmosferë intensive kombëtare mosbesimi dhe zemërimi dhe për të gërryer besimin e publikut në administrimin e zgjedhjeve”, thuhet në aktakuzë.

Është hera e parë që një president amerikan përballet me akuza penale për përpjekje për të përmbysur zgjedhjet.

Exit mobile version