Deputetët e Kuvendit të Kosovës para tri vjetësh me 89 vota për, një kundër dhe dy abstenime, kanë votuar për shpërndarjen e legjislaturës së gjashtë, duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Propozimi i deputetëve për shpërndarjen e Kuvendit pasoi dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit më 19 korrik, pasi ai mori ftesë nga Gjykata Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili foli në emër të 98 deputetëve që kanë kërkuar seancë, tha se mocioni për shpërndarjen e legjislaturës së Kuvendit është në pajtim me të gjitha grupet parlamentare.
“Në bazë të nenit 82, paragrafi 1, pika 2, Kushtetutës së Republikës së Kosovës propozojmë për shqyrtim në këtë seancë mocionin për shpërndarje të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës. Ky mocion është në pajtim me qëndrimet e shprehura nga të gjitha grupet parlamentare në mbledhjen e Kryesisë, me kryetarë të grupeve parlamentare të iniciuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli”, tha Krasniqi.
Deputeti i partisë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, tha se kjo legjislaturë ka qenë arenë konfrontimesh pozitë – opozitë për të ruajtur ligjshmërinë dhe Kushtetutën e Kosovës, e jo debat për avancimin e politikave në interes të qytetarëve.
“Si opozitë, kemi pasur përballë një koalicion prej 24 partive, por që përfaqësonin vetëm 1/3 e elektoratit, një koalicion pa legjitimitet, jo profesional, me vendimmarrje ad-hoc të bazuar në interesa politike dhe të grupeve të interesit. Si rezultat, është realizuar vetëm 30 për qind e agjendës legjislative, dhe atë nga vullneti i opozitës për të mbështetur disa ligje specifike”, theksoi Hoti.
Ndryshe, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, asnjë qeveri nuk arriti ta përmbyllë mandatin kushtetues prej katër vjetësh.