Ukraina dhe Rusia ranë dakord për tre korridore evakuimi për të mërkurën, njoftoi zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk.
Vereshchuk tha se bëhet fjalë për një korridor për evakuimin e banorëve të Mariupolit dhe dërgimin e ndihmave humanitare në Berdyansk, një rrugë për dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin nga Melitopol dhe një për një kolonë njerëzish me automjete personale nga Enerhodar në Zaporizhzhia.
“Kolonat e autobusëve dhe kamionëve me ndihma humanitare tashmë janë larguar nga Zaporizhzhia. Ne kërkojmë që forcat pushtuese të respektojnë angazhimet e tyre dhe të lejojnë kolona humanitare nëpër postblloqe”, tha ajo në një video-mesazh sot.
Vereshchuk tha se delegacioni rus në bisedimet e djeshme midis ekipeve ruse dhe ukrainase në Stamboll mori propozime nga pala ukrainase për të organizuar korridore evakuimi për rajonet më të prekura nga luftimet, duke përfshirë Kharkiv, Kiev, Kherson, Chernihiv, Sumy, Zaporizhzhia, rajonet Donetsk, Luhansk dhe Mykolaiv.
Njoftimi i Vereshchuk vjen dy ditë pasi kryetari i bashkisë së qytetit të rrethuar të Mariupol tha se korridoret e evakuimit kishin rënë kryesisht nën kontrollin rus, pasi javë të tëra bombardimesh vranë një numër të panjohur civilësh dhe detyroi qindra-mijëra banorë të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Jo gjithçka është në fuqinë tonë,” tha kryebashkiaku Vadym Boichenko, në një intervistë të drejtpërdrejtë televizive. “Fatkeqësisht sot jemi në duart e pushtuesve”.
Boichenko bëri thirrje për një evakuim të plotë të popullsisë së mbetur të Mariupolit, e cila ishte shtëpia e më shumë se 400.000 njerëzve përpara se Rusia të fillonte pushtimin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se forcat ruse kanë penguar autokolonat e evakuimit të afrohen ose të dalin të sigurt nga qyteti port jugor, transmeton CNN.