UBT News

​Tre të arrestuar për falsifikim parash dhe posedim të drogës

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona, në dy raste të ndara, për falsifikim parash dhe blerje e shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve. Arrestimet kanë ndodhur të enjten në Prishtinë dhe Gjakovë.

Sipas njoftimit të Policisë, një prej arrestimeve ka ndodhur falë bashkëpunimit me qytetarë.

“Falsifikim i parasë: Falë bashkëpunimit me qytetarë, hetuesit policorë nga Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit–Prishtinë, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore-Prishtinë, më 06.04.2023, kanë arritur të sigurojnë informata dhe prova se e dyshuara N.B., (viti i lindjes 1987, femër kosovare), ka tentuar të bëjë shpërndarjen e një sasie të parave të falsifikuara. Tek e dyshuara, në çantën e saj janë gjetur: 47 kartëmonedha nga 100 € (gjithsejtë 4,700.00€), të cilat dyshohet se janë të falsifikuara si dhe një elektroshok”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.

Ndaj të dyshuarës është iniciuar rasti “falsifikimi i parasë”, e njëjta është intervistuar dhe me aktvendim nga prokurori është dërguar në mbajtje deri në 48 orë. Ndërsa dy të arrestuarit e tjerë janë shtetas të Shqipërisë.

“Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge: Gjatë realizimit të detyrave policore, policia e rajonit të Gjakovës, sonte rreth orës 20:30 në rrugën Ponoshec-Gjakovë ka ndaluar për kontroll një veturë me targa të Shqipërisë. Gjatë kontrollit në veturë janë gjetur rreth 5 kg substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Policia ka arrestuar dy të dyshuar, shtetas të Shqipërisë. Rastin janë duke e trajtuar njësitet përkatëse policore”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version