Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, u ka bërë thirrje qytetarëve që mos u përgjigjen thirrjeve për protestë në Mitrovicë. Ai ka deklaruar se këto thirrje janë të dyshimta nga organizime anonime.
Sveçla ka deklaruar se thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe marshim drejt veriut, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Kosovës.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës. Përmes këtij organizimi në rrjetet sociale po tentohet të nxiten tubime të panevojshme. Sipas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë, kjo thirrje po përhapet nga persona të panjohur dhe profile të dyshimta nëpër rrjetet sociale”, ka shkruar ministri i Brendshëm.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos u përgjigjen thirrjeve të tilla.
“Mbështetja e madhe qytetare e këtyre ditëve karshi vendimeve të Qeverisë dhe institucioneve tona, të drejta dhe legjitime, janë garancë e vendosjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë në veri të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët që të mos i përgjigjen këtyre thirrjeve të dyshimta dhe organizimeve anonime”, ka thënë ai.
Në rrjetet sociale po bëhet thirrje për protestë në jug të Mitrovicës dhe marshim drejt veriut të vendit.