UBT News

​Themelohet shoqata e miqësisë Kosovë-Austri

Është themeluar shoqata e re e miqësisë ndërmjet Kosovës dhe Austrisë. Pjesë e ceremonisë inauguruese të kësaj shoqate ishin edhe krerët e shtetit, të cilët vlerësuan miqësinë me Austrinë.

Presidentja Vjosa Osmani tha se kjo shoqatë do të thellojë dhe forcojë raportet Kosovë-Austri.

“Themelimi i kësaj shoqate do të forcojë edhe më shumë miqësinë tashmë speciale mes dy shteteve tona, e cila është edhe e hershme. Në një kohë kur kontinenti ynë po përballet me rreziqe të shumta nga sistemet autokratike dhe hegjemoniste është tejet me rëndësi që shtetet tona të forcojnë lidhjet që popujt tanë po ashtu të forcojnë këto lidhje. Fuqia e miqësisë ndërmjet këtyre dy vendeve është e pamatshme, ndërsa dobia e popujve është jashtëzakonisht e madhe. Ato ndërtohen mbi bazën e besimit të vlerave dhe dëshirës për të punuar së bashku për të mirën e përgjithshme”, tha ajo.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti tha se Austria është një partner i palëkundur i Kosovës.

“Austria është një partner i palëkundur i Kosovës, si para ashtu edhe pas pavarësisë së vendit tonë, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë në një sërë fushash. Nga zhvillimi ekonomik deri te bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Këtë vit shënuam edhe 15-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve tona. Kompanitë austriake kanë investuar në Kosovë, duke krijuar vende pune dhe ndihmuar në ndërtimin e sektorit privat”, tha Kurti.

Në këtë ceremoni ishte edhe deputeti austriak në Parlamentin Evropian, Lukas Mandl, i cili tha se përmes shoqatës së re të miqësisë, do të thellohet edhe më tej bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik.

“Kur krijojmë rrjete të bashkëpunimit, skenar të përfitimit të dyfishtë krijohet edhe perspektiva për të gjithë njerëzit. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për një sektor, apo për një pjesë të caktuar të shoqërisë, por për të gjithë. Ky ka qenë qëllimi i shoqatës së miqësisë Austri-Kosovë. E mirëpres që një qëllim i tillë të përbashkohet edhe në kuadër të shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri, në fusha të ndryshme, ekonomi, diplomaci dhe të gjitha sferat e jetës”, deklaroi ai.

Pjesë e kësaj ngjarje ishin edhe përfaqësues të tjerë politik dhe institucional, të cilët e mirëpritën themelimin e shoqatës së re të miqësisë Kosovë-Austri.

Exit mobile version