UBT News

​Thaçi flet pa betim sot para trupit gjykues në Hagë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të flasë pa betim sot para trupit gjykues në Hagë. Kjo është bërë e ditur nga mbrojtja e tij gjatë seancës së sotme. Deklarimi i Thaçit pritet te bëhet në përfundim të paraqitjes së fjalës hyrëse të ekipit të tij mbrojtës.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po prezantohen deklaratat hapëse nga ekipet mbrojtëse. I pari që ka filluar është avokati i Thaçit, Gregory Kehoe i cili ka folur për jetën e të akuzuarit gjatë viteve 1998-1999. Gjatë paraqitjes së provave në të cilat synon të mbështetet, Kehoe ka folur edhe për luftën në Kosovë, masakrat serbe dhe dëbimet që u bëheshin shqiptarëve atë kohë.

Ndër të tjera, janë lëshuar video deklarime e intervista të Thaçit ku bënte thirrje për bashkëjetesë midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe ku deklaronte që Kosova është multietnike. Sipas ekipit mbrojtës, politika e Thaçit ishte e kundërt me atë që ZPS po synon të paraqesë.

Kjo është dita e dytë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Në galerinë për publikun, përveç gazetarëve ndodhen edhe familjarët e të akuzuarve. Me t’u ngritur perdja në sallë, Thaçi dhe Selimi janë parë duke përshëndetur me dorë familjarët e tyre qe ndodheshin lartë në galeri.

Exit mobile version