UBT News

​Thaçi: Bota e kuptoi që nuk pati trafikim organesh e as shtëpi të verdhë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në fjalën e tij para trupit gjykues sot në Hagë ka deklaruar se është i pafajshëm dhe beson që ky proces gjyqësor do të jetë transparent dhe i shpejtë.

Ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi, i akuzuar nga Gjykata Speciale për krime lufte, shprehu keqardhje për të gjitha viktimat gjatë konfliktit më 1998-99. Ish-presidenti i Kosovës theksoi se ky rrugëtim është drejt së drejtës dhe të vërtetës.

“Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Por unë jam gati të përballem me këtë sfidë të re dhe të kemi sukses, për familjen time, për popullin tim dhe vendim tim. Rruga jonë drejt lirisë ishte e gjatë dhe shumë e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari në mars të viti 1998. Si shumë shqiptar nga diaspora edhe unë u ktheva për të ndihmuar vendin tim dhe iu bashkova rezistencës për lirinë në Kosovë, kushdo që do të ishte në vendin tonë do të kishte bërë të njëjtën gjë kur tu hiqej liria. Ushtria Çlirimtare e Kosovës përbëhej nga njerëz të thjeshtë vullnetarë që përpiqeshin të mbronin shtëpitë, familjet dhe vendbanimet e tyre. Ata luftuan dhe shumë vdiqën trima hero”, u shpreh ai.

Ish-kreu i UÇK-së, Hashim Thaçi u shpreh i lumtur që sot Kosova dhe populli i saj janë të pavarur dhe të lirë.

“Ne, Kosova, ishim në anën e drejtë të historisë. Sot unë jam i lumtur që populli i Kosovës të lirë të pavarur të bazuar në të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët e saj ku sundon ligji, Kosova pra është një rrëfim suksesi. Gjatë këtij procesi gjyqësor ne do të udhëtojmë prapa në kohë tek ngjarjet që kanë ndodhur 25 vite më parë. U kërkoj të gjithë që të keni parasysh se mbamendja 25 vjet më parë është e mjegulluar. Realiteti po ngatërrohet me opinione dhe agjenda të ndryshme. Spekulimet po shndërrohen në fakte, gjithashtu emocionet motivet apo mllefet politike të cilitdo akter politik nuk duhet të kuptohen si fakte në këtë sallë. Kjo vlen edhe për disa botime apo opinione të pasluftës të ekzagjeruara apo përshtatura të akterëve të ndryshëm të luftës. Si në çdo shoqëri demokratike edhe tek ne jo çdo bashkëluftëtar i luftës ka qenë edhe bashkudhëtar apo bashkëmendimtar në proceset politike të pasluftës. Në raste jo të pakta ambicia, interesat politike, egoja personale tejkaluan të vërtetën dhe realitetin për rrëfimin e UÇK -së dhe vet historinë e Kosovës”, u shpreh ish-presidenti Thaçi.

Gjatë këtij fjalimi para trupit gjykues në Hagë ish-drejtuesi politik i UÇK-së, Hashim Thaçi tha se nga ky proces është hequr “reja e zezë” mbi Kosovën, sa i përket pretendimeve të ish-senatorit amerikan, Dick Marty, për trafikim organesh nga UÇK-ja. Ai pret që të shfajësohet nga ky trup gjykues nga çdo akuzë tjetër ndaj tij.

“Kur raporti i Dick Martyt para 13 vitesh mbushi tytat e mediave ndërkombëtare me akuzat e sajuara për trafik organesh nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe nga unë menjëherë i kërkova bashkësisë ndërkombëtare të hetonte në mënyrë të pavarur. Bashkësia ndërkombëtare më tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë të akuzave për trafik të organeve në Kosovë. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafik organesh dhe se shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë se edhe unë dhe UÇK-ja dhe populli i Kosovës dhe gjithë shqiptarët jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë mbi Kosovën është hequr. Pra, kjo sakrificë ia ka vlejtur. Unë pres që të shfajësohem nga çdo akuzë tjetër ndaj meje në përfundim të këtij procesi”, tha ai.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po ashtu beson që ky proces gjyqësor do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë.

“Unë jam intervistuar nga këta mekanizma qoftë në cilësinë e dëshmitarit apo të dyshuarit. Çdo bashkëpunim i imi me të gjithë këta akterë ndërkombëtarë ka qenë në interes të drejtësisë dhe plotësisht transparent qoftë në Prishtinë apo Hagë. Gjithçka që thuhet tjetër është e paqëndrueshme. Prandaj askush nuk duhet dhe nuk mund ta shkruaj historinë, ky është çmimi i lirisë. Unë besoj në paqe, të vërtetën, pajtim dhe drejtësi. Dhe kam besim se ky proces do të jetë i drejtë, transparent dhe i shpejtë”, u shpreh Thaçi.

Ai ka shprehur keqardhje që nuk do të kenë mundësi të dëgjohen në këtë gjykatë dëshmitë e sekretares së Shtetit, Madeline Albright, sekretarit të jashtëm Robin Kook, senatorit Robert Dolle, ambasadorit Richard Holbroke, të shefit të parë të UNMIK-ut në Kosovë, të presidentit Ibrahim Rugova, të Fehmi Aganit, të Adem Demaçit e liderëve të tjerë për atë çka kishte bërë vetë Thaçi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Por shtoi se ka shumë përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë që janë të gatshëm të dëshmojnë për pafajësinë e tij.

Pas kësaj deklarate të Thaçit, ka përfunduar deklarata hyrëse e mbrojtjes së tij, ndërsa po sot pritet të dëgjohet në gjykatoren në Hagë edhe deklarata hyrëse e mbrojtjes së Kadri Veselit. E gjatë ditës së djeshme katër ish-krerët e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm për akuzat që i ngarkon ZPS-ja. 

Exit mobile version