UBT News

​Tetë të vrarë nga të shtënat masive në disa fshatra të Serbisë

Së paku tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga të shtënat masive që ndodhën në disa fshatra të Mlladenovcit, në territorin e qytetit të Beogradit, njofton Radio Televizioni i Serbisë (RTS).

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk iu përgjigj kërkesës së REL për koment të menjëhershëm.

RTS raporton se të shtënat ndodhën në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin dhe se kërkimet për sulmuesin janë duke vazhduar.

Sipas disa mediave lokale, sulmuesi, 21 vjeç, qëlloi mbi njerëz me një armë automatike, pasi pati një debat me një oficer të policisë, në një park në fshatin Dubona.

Tre nga të plagosurit iu nënshtruan trajtimit urgjent mjekësor në një spital lokal, raportojnë korrespondentët e REL në terren.

Instituti për Transfuzion të Gjakut në Serbi i tha REL-it se Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të dhurojnë gjak.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Bratisllav Gashiq, e cilësoi incidentin si “akt terrorist”, shkruan portali serb i lajmeve, Telegraf. Forcat e xhandarmërisë me armë të gjata dhe patrulla të shumta policore janë në terren.

Ministrja e Shëndetësisë e Serbisë, Danica Grujiçiç, dhe shefi i Shërbimit të Zbulimit, Aleksandar Vulin, raportohet se kanë udhëtuar në zonë.

Këto janë të shtënat e dyta masive që ndodhën në Serbi këtë javë.

Të mërkurën, një djalë 13 vjeç dyshohet se vrau tetë nxënës dhe një rojë të sigurisë në një shkollë në qendër të Beogradit.

Sekretarja e përgjithshme e Këshillit të Evropës, Marija Pejçinoviq Buriq, shkroi në reagimin e saj në Twitter se “është tronditur nga të shtënat e tjera masive në Serbi”.

“Mendimet e mia janë me viktimat, familjet e tyre dhe autoritetet në Serbi”, tha ajo.

Të shtënat masive janë relativisht të rralla në Serbi, por zotërimi i armëve në vend është ndër më të lartit në Evropë.

Exit mobile version