UBT News

​Tërnava uron Ramazanin: Lusim Zotin të ndalen luftërat dhe konfliktet

Agjërimi i muajit të Ramazanit e largon njeriun nga urrejtja dhe e motivon për vepra të mira, ka thënë myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, derisa ka uruar muajin e shenjtë të myslimanëve.

Lutja të cilën e ka përcjellur Tërnava është për ndaljen e luftërave dhe konflikteve në mënyrë që popujt të jetojnë të qetë dhe në paqe.

“Agjërimi i muajit të Ramazanit, besimtarin e afron me krijuesin, e largon nga egoja, urrejtja, e motivon për punë e vepra të mira të hajrit. Mësimet, vlerat dhe misioni i agjërimit, janë më se të nevojshme për shoqërinë edhe ashtu të trazuar që po kalon ditë jo të mira, me luftëra e konflikte. Prandaj në këtë Natë të Madhe, në vigjilje të fillimit të këtij muaji të madh, lusim Zotin që sa më parë të ndalen luftërat dhe konfliktet, dhe popujt të jetojnë të qetë në paqe e harmoni. Misioni i njeriut në këtë botë nuk është të krijojë trazira, gjakderdhje, vuajtje e shkatërrime, por të jetojë me dinjitet, ashtu siç na ka udhëzuar krijuesi i gjithësisë”, ka thënë ai.

Tërnava ka thënë se myslimanët e realizojnë agjërimin për hir të Krijuesit dhe për të merituar mëshirën dhe begatitë e tij.

“Agjërimi, si asnjë ibadet tjetër, shpërfaqë bindjen, dashurinë dhe sinqeritetin ndaj krijuesit tonë, Zotit. Muaji Ramazan është një ibadet që bëhet për, dhe në emër të Zotit dhe për besimtarët shënon edhe muajin e shtimit të ibadeteve, faljes së namazeve shtesë, bërjes më shumë lutje dhe dua, njësisë ndaj fëmijëve, skamnorëve, jetimëve dhe njerëzve në nevojë. Gjatë ditëve dhe netëve të Ramazanit shtëpitë tonë, rrugët e xhamitë tona gjallërohen dhe mbushën plot gëzim rahmet e begati, sepse vet agjërimi e bën besimtarin më të qetë, e fisnikëron dhe e bën më dorëlirë dhe besimtar”, ka thënë Tërnava.

Nesër në agim, me ngrënien e syfyrit besimtarët myslimanë nisin muajin e agjërimit, Ramazanin.

Gjatë këtij muaji, besimtarët myslimanë heqin dorë nga ngrënia dhe pija, që nga agimi i ditës e deri në perëndim.

Exit mobile version