Ngrohtorja e qytetit të Prishtinës “Termokos”, këtë sezon pritet të ofrojnë ngrohje edhe për 140 objekte të reja banesore me rreth katër mijë konsumatorë të rinj në lagjen Mati 1, konkretisht në rrugën “Muharrem Fejza”.
E derisa pritet të nis edhe me shtrirjen e rrjetit të ngrohjes në lagjen e Muhaxherëve, konkretisht afër parkut të qytetit, Termokos është në proces të realizimit të projektit për vendosjen e paneleve solare, me të cilët do të sigurohet ngrohja për dy lagje të reja në kryeqytet.
Termokos po planifikon po ashtu, që pas zgjerimit të rrjetit te parku i qytetit, të vazhdojë me zgjerimin në pjesën tjetër të lagjes Arbëria, por gjithashtu janë në proces të realizimit të projektit për dyfishimin e kapaciteteve të energjisë termike që marrin nga KEK-u.
Me ndihmën e fondeve të ndara nga Qeveria e Gjermanisë dhe banka gjermane për zhvillim, po zgjerohet rrjeti i ngrohjes Termokos për disa lagje të kryeqytetit për të lehtësuar ditët e ftohta gjatë dimrit.
Zëdhënësja e Termokos-it, Afërdita Uka- Fejzullahu tha se shtrirja e gypave të ngrohtores është duke u bërë në disa lagje.
“Është në proces tashmë kyçja në rrjetin e ngrohjes, ku përkatësisht shtrirja e rrjetit të ngrohtores është bërë në lagjen Mati 1, përkatësisht në rrugën “Muharrem Fejza”, rrugicat dhe objektet që ndodhen përreth rrugicave të kësaj rruge, ndërsa aktualisht është duke u punuar për vendosjen e nënstacioneve të ngrohjes, pasi që Banka Gjermane për Zhvillim, e cila i realizon të gjitha procedurat e tenderimit për zgjedhjen e punëkryesve në këto projekte për të cilat janë financuar nga Qeveria Gjermane, ka zgjedhur dy punëkryes në këtë pjesë të tenderit, pra për kryerjen e punimeve për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, derisa pjesa e parë e kompanisë së punëkryesve, shtrirja e rrjetit ka përfunduar vitin e kaluar, tash kjo është duke u bërë instalimin e nënstacioneve të ngrohjes, kemi 140 objekte të reja banesore që do të kyçen në këtë lagje, me rreth katër mijë konsumatorë të rinj që për herë të parë do të filloj furnizimi me ngrohje, pra që nga fillimi i këtij sezoni, që pritet të filloj ashtu siç e kemi përcaktuar ligjërisht nga 15 tetori i këtij viti. Shtrirje të ngrohjes tjetër do të ketë edhe për lagjet tjera të qytetit të Prishtinës, është e planifikuar që për pak kohë varësisht nga koordinimi që do të kemi edhe me komunën dhe me projektet e tyre, do të filloj edhe punimet për shtrirjen e rrjetit të ngrohjes tek lagja, në afërsi të parkut të qytetit, ndërsa për pjesën tjetër, të lagjes Arbëria, pjesa e poshtme e lagjes Arbëria fillojnë punimet pas realizimit të këtyre punimeve. Pra lagja Mati 1 përkatësisht rruga “Muharrem Fejza” dhe pjesa e lagjes në afërsi të parkut të qytetit pritet të fillojnë pas fillimit të sezonit të ri ngrohës, pra ka pas gjasa që ata të kyçen këtë vit, mbase do të arrijmë që vitin e ardhëm të kyçim rrjetin e ngrohjes”, thotë ajo.
Ajo thotë se në proces është edhe vendosja e paneleve solar.
“Kemi edhe projekte të tjera përveç të masës së nxehtësisë, kemi në proces të realizimit edhe projekte për vendosjen e paneleve solar. Me këtë projekt i cili financohet po ashtu nga donatorë ndërkombëtare, do të sigurohet ngrohja për dy lagje të reja të Prishtinës, është pjesa e epërme e lagjes Arbëria dhe për herë të parë në rrjetin e ngrohjes pritet të kyçet me këtë projekt edhe lagja Tophane. Kjo përveç sigurimit të ngrohjes cilësore të mjaftueshme për këta konsumatorëve të këtyre dy lagjeve, pritet se do të ndikojë dukshëm edhe në eliminimin enorme të ajrit për qytetin e Prishtinës, të cilët këta banorë në mungesë të ngrohjes qendrore janë detyruar të shfrytëzojnë alternativa të tjera ngrohëse, ndërsa në proces jemi edhe në realizimin e projektit për dyfishimin e kapaciteteve të energjisë termike që marrim nga KEK-u. Aktualisht jemi duke marrë 140 KË me energji termike nga KEK-u, ndërsa në të ardhmen do të merremi me realizimin e projektit i cili tashmë, pak kohë më parë kemi nënshkruar kontratën me Bankën Evropiane për Investime, e cila në vlerë të 1.5 milion eurove ka financuar projektin për studimin paraprak për realizimin e këtij projekti, pra dhe fazat e mëtutjeshme do të varen nga ky studim që do të vërehet, pran Banka Evropiane për Investime, i cili presim se do të jetë në favor të realizimit të këtij projekti”, shton Fejzullahu.
Uka-Fejzullahu më tej shton se këtë vit nuk kanë rritur faturat e energjisë termike dhe se këto fatura vendosen nga Zyra e Rregullatorit për Energji.
Gjithashtu, zëdhënësja e Termokosit thotë se në rastin kur konsumatorët nuk do të paguajnë faturat, janë të obliguar të marrin masa, pasi sipas saj, investimet po bëhen me fonde nga ndërkombëtarët.
“Është shumë e palogjikshme që në këtë fazë të zhvillimit të ngrohtores, në këtë fazë ne i ofrojmë ngrohje të mjaftueshme dhe për të gjithë ata konsumatorë, aq më tepër në këtë fazë kur ka një rritje të çmimit të energjisë elektrike, i cili po paralajmëron se do të ndodhë edhe periudhën e ardhshme, pra sidomos periudhën e dimrit ne kemi vazhduar edhe këtë sezon e fundit të furnizojmë me ngrohje pa ndryshim të tarifave, d.m.th. pa rritje të çmimit dhe në vazhdën e ngritjes së çmimeve dhe të gjithave lëndës së parë, pra për ngrohje cilat do qofshin ato dru, pelet apo thëngjill, gjitha këto shumë më të kushtueshme se ngrohja që ofrojmë ne. Është alternativa e vetme, pra e sigurt dhe shumë e leverdishme ekonomikisht për të gjithë konsumatorët tanë, pra ata nuk duhet të hezitojnë këto fatura të ngrohjes ngase është më e leverdishme për ata, në të kundërtën ne në vazhdimësi duhet të aplikojmë masat të cilat nuk i pëlqejmë por jemi të detyruar duke i ngjasuar të gjithë ato borxhe, ngase nuk është shumë e arsyeshme, ne të kërkojmë fonde nga donatorët për të realizuar projekte të shumta, kur ata konsumatorë për të cilët po bëhen këto projekte nuk dëshirojnë të paguajnë faturat për një shërbim shumë cilësor të cilën e marrin gjatë gjithë periudhës së dimrit, pra për gjashtë muaj me radhë. Ata kanë një furnizim cilësor dhe të mjaftueshëm me ngrohje 24 orë për shtatë ditë në javë. Ne në vazhdimësi kemi aplikuar metodat më të reja të cilat po shihet se po kanë ndikim të konsumatorët, tek ata konsumatorë të cilët po kanë hezitim t’i paguajnë faturat e ngrohjes, kemi ngrit padi private përmes përmbaruesve privat”, shton ajo.
“Termokos”, si kompani e ngrohjes qendrore nga qershori i vitit 2008 është nën mbikëqyrjen e Komunës së Prishtinës.
Rjeti i ngrohjes së Termokos-it deri tani ka shërbyer në lagjet e vjetra të Prishtinës dhe atë me gypat e viteve të ’70- ta.