Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka tërhequr shortin për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë të katër komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, si dhe për zgjedhjet e parakohshme të 25 dhjetorit për Kuvendin Komunal të Zveçanit dhe Leposaviqit. Numrat që përbënin tërheqjen ishin nga 111 deri në 115.
Nga hedhja e shortit subjektet u renditën si në vijim: Iniciativa Qytetare Mitrovica me numrin 111, Partia Demokratike e Kosovë 112, Lëvizja Vetëvendosje me numrin 115, Partija Kosovskih Srba me numrin 113 dhe kandidatja e pavarur për komunën e Zveçanit, Sladjana Poantovic e cila kandidon me numrin 114.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi tha se pavarësisht sfidave mbeten të përkushtuar për të kryer detyrat e tyre. Radoniqi tha se angazhimi i KQZ-së për zgjedhje të lira dhe demokratike është i përhershëm.
“Pavarësisht sfidave të cilat paraqiten në këtë kohë, KQZ-ja mbetet e përkushtuar për të kryer detyrat e veta dhe në këtë drejtim është edhe kjo ngjarje e sotme. Angazhimi ynë për zgjedhjet e lira dhe demokratike është i përhershëm. Kjo mund të jetë vetëm me një angazhim të përbashkët”, tha ai.
Ai tha se para këtij aktiviteti, KQZ-ja ka miratuar Udhëzuesin për tërheqjen e shkurtër dhe renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, udhëzim ky i cili krijon kushtet e barabarta për të gjitha subjektet dhe transparencën.
Ndryshe, dje në veri të vendit ka pasur të shtëna dhe shpërthime nga strukturat ilegale serbe.