UBT News

​Tentoi të vriste vëllain, prokuroria kërkon një muaj paraburgim për të dyshuarin

Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata kompetente në Gjakovë, ndaj të pandehurit V.V., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Kanosje”, “Vrasje e rëndë në tentativë”, si dhe, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria njofton se, të martën, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, i pandehuri, seriozisht i kanos se do t’i privojë nga jeta anëtarët e familjes, përkatësisht nënën, babain, si dhe, motrën e tij. Kanosja ka ndodhur përmes telefonit duke iu thënë se ‘do iu vras të gjithëve’, përfshirë edhe fëmijët e motrës së tij.

Gjithashtu, po të martën, në Gjakovë, me dashje ka tentuar ta privojë nga jeta vëllain e tij, të dëmtuarin B.V., për shkak të problemeve të mëparshme, në lidhje me ndarjen e pasurisë.

I pandehuri V.V., paraprakisht kishte kërkuar të takohet me të dëmtuarin në zyrën e tij, e më pas duke e kanosur me fjalë, me armë zjarri gjuan disa herë në drejtim të këmbëve të dëmtuarit e pastaj i drejton armën në fytyrë, ku deri sa i pandehuri tenton ta ndërrojë karikatorin, i dëmtuari arrin të largohet nga vendi i ngjarjes dhe njofton policinë.

Si dhe, nga data e pavërtetuar deri me 22 qershor 2022, pa autorizim, ka mbajtur armë dhe municion në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët, ku të njëjtat i janë konfiskuar nga ana e policisë.

Prokurori i rastit ndaj të pandehurit V.V., ka kërkuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh.

I pandehuri, me urdhër të prokurorit gjendet në ndalim nga e marta.

Exit mobile version