Në orët e mbrëmjes së datës 26 korrik 2022, njësitet policore në Skenderaj dhe në Vushtrri kanë reaguar në dy lokacione ku kishte informacione për të shtëna me armë në ahengje.
,,Informacione për të shtëna ishin raportuar në fshatin Runik të Skenderajt dhe në fshatin Nadakovc të Vushtrrisë, si rezultat i reagimit të shpejtë të njësive policore ka rezultuar që në dy lokacionet të konfiskohen dy armë të llojit pistoleta, tetë fishekë dhe katër gëzhoja, të cilat dyshohet se janë përdorur në ahengje familjare. Në cilësi të të dyshuarve janë arrestuar dy persona, të cilët dyshohet se kanë përdorur armët në ahengje familjare, ndërsa pas procedurave intervistuese dy të dyshuarit me urdhër të prokurorit janë liruar për procedurë të rregullt. Ndaj tyre janë iniciuar raste për veprën penale ‘përdorim i armës’ dhe ‘mbajtje në pronësi , kontroll të paautorizuar të armës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia po ashtu ka apeluar te qytetarët që të shmangin veprimet e tilla, ku përdorimi i armëve në ahengje është i sanksionuar me ligj. Policia thekson se do të ndërmarrë të gjitha veprimet sipas autorizimeve, përfshirë dhe bastisjen e lokacioneve ku dyshohet se janë përdorur armët.