Të paktën pesë persona u vranë herët të enjten gjatë sulmeve ruse në qytete të ndryshme të Ukrainës.
“Deri më tani janë raportuar katër viktima. Këta janë katër të rritur. Dy burra dhe dy gra. Ata ishin në shtëpi kur ra raketa. Mbeturinat janë ende duke u pastruar. Mund të ketë njerëz të tjerë të bllokuar poshtë”, tha guvernatori i Lvivit, Maksym Kozytskyy.
Duke thënë se alarmi ajror në rajon zgjati për katër orë, Kozytskyy tha se tri ndërtesa banimi dhe tri automjete u shkatërruan nga raketat.
Guvernatori i Dnipropetrovskut, Serhii Lysak tha për se një person u vra gjatë një sulmi me raketa në rrethet Dnipro, Pavlohrad, Kryvorizky dhe Nikopol.
“Infrastruktura energjetike dhe ndërmarrjet industriale u dëmtuan. Ka shkatërrime serioze. Shërbimet e urgjencës po punojnë në terren”, tha më tej Lysak.
Ministri ukrainas i Energjisë, German Galushchenko njoftoi se linja e fundit e energjisë që ushqeu termocentralin bërthamor të Zaporizhzhia, u dëmtua gjatë sulmeve në rajon, duke vënë në dukje se stacioni aktualisht funksionon me gjeneratorë me naftë.
Kompania kombëtare e energjisë bërthamore e Ukrainës “Energoatom”, tha gjithashtu për Telegram se termocentrali është aktualisht në modalitetin e ndërprerjes për të gjashtën herë që nga fillimi i luftës, me vetëm 10 ditë rezervë karburanti të mbetur për të operuar gjeneratorët.
Tani në vitin e saj të dytë, si pasojë e luftës Rusi-Ukrainë deri më tani janë vrarë 8 mijë e 173 civilë dhe janë plagosur 13 mijë e 620 të tjerë, sipas shifrave të fundit të OKB-së./AA/