Të paktën 46 persona, të cilët besohet se kanë qenë migrantë, janë gjetur të vdekur në një kamion të braktisur në periferi të San Antonio të Teksasit. Sipas autoriteteve lokale, 16 persona të tjerë, përfshirë katër fëmijë, ishin dërguar në spital.
Të mbijetuarit ishin të molisur. Siç përshkruhet “të nxehtë në prekje” dhe vuanin nga goditja e nxehtësisë.
San Antonio, i cili është 250 km nga kufiri SHBA-Meksikë, është një rrugë kryesore tranziti për trafikantët e njerëzve.
Trafikantët e qenieve njerëzore shpesh përdorin kamionë për të transportuar emigrantë pa dokumente, pasi i takojnë në zona të largëta pasi të kenë arritur të kalojnë në Shtetet e Bashkuara.
“Ata kishin familje… dhe me gjasë po përpiqeshin të gjenin një jetë më të mirë. Nuk është asgjë më pak se një tragjedi e tmerrshme njerëzore”, tha kryebashkiaku i San Antonio, Ron Nirenberg.
Ekipet e urgjencës mbërritën fillimisht në vendngjarje rreth orës 18:00 me orën lokale (23:00 GMT) pasi iu përgjigjën raporteve për një trup të pajetë.
Shefi i zjarrfikësve të San Antonios, Charles Hood, tha se kamioni, i cili ishte braktisur nga drejtuesi i tij, nuk kishte ajër të kondicionuar dhe nuk kishte ujë të pijshëm brenda.
Klima e San Antonios është jashtëzakonisht e nxehtë në muajt e verës, me temperaturat atje që shënuan 39.4 gradë celsius gjatë së hënës.
Ministri i Jashtëm i Meksikës, Marcelo Ebrard, tha se dy guatemalanë ishin në mesin e atyre që u dërguan në spital. Kombësia e viktimave të tjera nuk është bërë e ditur ende.
Tre persona po mbahen në paraburgim dhe hetimi i është dorëzuar agjentëve federalë.
Konsulli i Përgjithshëm meksikan Ruben Minutti është parë në vendngjarje, ndërsa konsullata në San Antonio tha se do të ofronte “të gjithë mbështetjen” nëse qytetarët meksikanë janë në mesin e të vdekurve.