Të martën e 12 prillit do të mbahet debati parlamentarë për politikën e jashtme, kërkesë kjo e bërë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), por që dështoi javë që shkuan për shkak të mungesës së kryeministrit dhe ministres së Punëve të Jashtme. Kërkesa për debat parlamentar sipas PDK-së erdhi për shkak të gjendjes jo të mirë të politikës së jashtme, ndërkohë që sipas deputetes së PDK-së, Blerta Deliu-Kodra një debat i tillë do të ndikojë që ta zgjojë qeverinë.
Ndërkohë që shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka treguar edhe se në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, është vendosur që të enjten, pra më 7 prill të ketë seancë plenare me disa pika të rendit të ditës.
“Ju njoftoj se seanca e radhës së Kuvendit mbahet më 7 prill, ditën e enjte me agjendën si vijon. Përveç pikave të zakonshme, ka edhe deklarime jashtë rendit të ditës, pyetje parlamentare shqyrtimi i parë për plotësim ndryshimin e ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, pastaj shqyrtimi i parë për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për procedurën përmbarimore. Gjithashtu formimi i komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave nga radhët e komunitetit shqiptar. Pikë tjetër është shqyrtimi i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin ligjit për zyrtarët publik”, tha Kusari-Lila.
Debati parlamentar për politikë të jashtme do të mbahet në ora 13:00.
“Shtesë kësaj është caktuar që debati parlamentar për politikën e jashtme të mbahet të martën më 12 prill me fillim në ora 13:00. Arsyeja e orës 13:00 është se dita e marte është ditë e komisioneve funksionale”, tregoi ajo.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se kërkesa për debat erdhi për shkak të situatës së rënduar në të cilën gjendet politika e jashtme e Kosovës.
“Ne kemi parashtruar disa herë kërkesën për mbajtjen e debatit parlamentar për politikë të jashtëm. PDK është e vëmendshme për situatën e rëndë në të cilën gjendet vendi sa i përket një situate jashtëzakonisht të rëndë me politikën e jashtëm[…]Mendoj që është një debat që i kontribuon vendit por besoj që edhe e zgjon qeverinë”, tha ajo.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se ligjet që e prekin politikën e jashtme janë lënë në një skaj dhe se askush nuk po merret me to. Ai foli edhe për ligjin për festat zyrtare.
“Ligjet themelore si ai i pagave, amandamentimi për zyrtarë publikë, dhe ligjet që prekin politikën e jashtme janë parkuar, janë lënë në skaje dhe nuk po merret askush me to. Dhe është një agjendë legjislative që nuk është asgjë më shumë e as më pak veçse një listë e dëshirave me i vendos do tema por pa asgjë… sa i përket temës së ligjit për festa zyrtare. A e dini që në 5 të hënë rresht që vijnë janë festa zyrtare, ky është ligji i festave zyrtare. Ky është një ligj i cili nuk bënë me shku seancë pas seance në diskutim”, tha Tahiri.
Në këtë deklarim për medie, pati pyetje edhe për çështjen e vendosjes së shenjës së ndalimit të shamisë në një shkollë të Gjakovës.
Për çka shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila tha se ky vendosja e shenjës krahas ndalimit të mjeteve të palejueshme që përdoren në shkollë ka qenë veprim i nxituar dhe i tepruar e që do të mund të evitohej.
“Ajo çka kohët e fundit u bë ishte një situatë e cila mund edhe të evitohej për arsye se të vendoset shenja e ndalesës për shamisë në radhë me mjetet tjera të palejueshme të përdorura në shkollë ka qenë veprim i tepruar dhe i nxitur i kujtdo që e ka bërë, ose i menaxhmenti i shkollës ose zyrtarë të tjerë. Por kompetencë në këtë udhëzim administrativ e ka Ministria e Arsimit dhe prej Ministrisë së Arsimit buron se është legjislacion sekondar, nuk është legjislacion primar. Ne besojmë që në shqyrtime të mirëfillta edhe në Ministrinë e Arsimit do të ketë trajtimin adekuat dhe serioz”, tha Kusari-Lila.
E deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se kjo është një parregullsi sa i përket ligjit për arsim paruniveristar.
“Mendoj që këtu ka një parregullsi sa i përket ligjit për arsimin parauniversitar. Duhet jo vetëm çështja e udhëzimit administrativ por edhe ligji për arsimin pasuniversitar duhet të harmonizohen me njëra tjetrën sepse duhet ta kemi parasysh edhe respektimin e të drejtave të njeriut por edhe karakterin e shtetit laik si e kemi me kushtetutën e Kosovës. Natyrisht ne do të jemi aty për të përkrahur çdo veprim që respekton të drejtat e njeriut por që ka edhe një respekt sa i përket karakterit të shtetit laik”, u shpreh ajo.