Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot është mbajtur seanca për shqyrtimin fillestar në rastin për vrasjen e Oliver Ivanoviq. Gjashtë të akuzuarit në këtë rast u deklaruan të pafajshëm në lidhje me vrasjen e politikanit serb. Dy nga të akuzuarit Nedelko Spasojeviq dhe Zharko Jovanoviq e pranuan fajësinë lidhur me armëmbajtje pa leje.
Të akuzuar në këtë rast janë Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Zharko Jovanoviq, Nedeljko Spasojeviq, Rade Basara dhe Dragisha Markoviq.
Prokurori i rastit, Burim Çerkini tha se të akuzuarit ishin pjesë e një grupi kriminal të udhëhequr nga Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiqiq, të cilët vazhdojnë të jenë në arrati bashkë me Zhelko Bojiqin. Sipas prokurorit të rastit, veprimet e këtij grupi kishin për qëllim realizimin e përfitimeve ekonomike dhe politike në Mitrovicën Veriore.
“Të pandehurit Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq nga viti 2014 deri në vitin 2018 respektivisht më datën 16 janar 2018 në qytetin e Mitrovisë të pandehurit në bashkëpunim me të pandehurit Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiqiq, të cilët për momentin gjenden në arrati dhe me dy të pandehurit e tjerë e që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarkinë në grup dhe me role të përcaktuara nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiqiq në atë mënyrë që në bashkëpunim dhe bashkëveprim ndërmjet vete me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës së në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë. Të pandehurit në ditën kritike, kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete me qëllim të grupit në fjalë“, tha ai.
Pjesë e planit për vrasjen e Ivanoviq sipas aktakuzës ka qenë edhe administratorja e zyrës së Ivanoviqit, Silvana Arsoviq e cila sipas aktakuzës kishte qenë në njohuri për fikjen e kamerave të sigurisë, si dhe aktivizimin e tyre pak minuta pas vrasjes.
Sipas aktakuzës, hetuesi policor, Rade Basara, kishte keqpërdorur autoritetin zyrtar pasi nga pozita e tij kishte ndihmuar në fshehjen e provave, për çka akuzohet edhe Nedelko Spasojeviq.
“I pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e rëndë e tani të ndjerit, Oliver Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni dy të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë duke krijuar kushte dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale. Ashtu që i njëjti i u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës GOLF4 më pas i ka dërguar i ka dërguar te vetura OPEL Astra ngjyrë e kaltër pa targa nga e cila veturë edhe është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq… I pandehuri Rada Basara në cilësinë e personit zyrtar konkretisht hetues në njësinë e hetimeve regjionale në Mitrovicën Veriore nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për veten apo personin tjerë dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal si hetues policor ka bashkëpunuar ngushtë me të pandehurin Zhelko Bojiq dhe grupin kriminel të udhëhequr nga Milan Radoiqiq nga i cili grup ka marr urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë provat, dhe nga grupi kriminal është urdhëruar të fshehë gjurmët”, tha ai.
Aktakuza lidhur me këtë rast u lexua edhe në gjuhën serbe. Mbrojtja e së akuzuarës Silvana Arsoviq, Musa Damati tha se mungojnë elementet për veprën për të cilën akuzohet klientja e tij.
“Në këtë rast voluminoz penal mungojmë elementet konstituive, të cilat do ta krijonin anatominë e veprës penale për të cilën ngarkohet klientja ime. Po ashtu, në këtë rast penal mungojnë veprimet kauzale që do ta përbënin figurën e posaçme të veprës penale me të cilën akuzohet klientja ime”, theksoi ai.
Në seancën e shqyrtimit fillestar mbrojtja e Nedelko Spasojeviqit dhe Rade Basara kanë kërkuar që të ndërpritet masa e paraburgimit ndaj tyre.
Tomë Gashi, avokati i të akuzuarit Rade Basara, tha se klineti i tij kur ndodhi vrasja e ish-politikanit Oliver Ivanoviq ndodhej në Kroaci.
“Kërkesa ime është permanente, por duket se gjykata nuk ka pasur mundësi të vendos pa propozimet apo pa deklarimin e prokurorit që ai të largohet nga paraburgimi dhe paraburgimi është një masë krejtësisht e panevojshme dhe në këtë rast Rade Basara është duke u dënuar dhe jo duke u mbajtur në paraburgim me ata tetë rreshtat e famshëm të dispozitivit të aktakuzës gjë që asgjë nuk mund të vërtetohet pasi që ai dispozitiv për Rade Basara është krejtësisht i përgjithësuar”, tha Gashi.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj gjashtë personave të nacionalitetit serb, Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara, të cilët ngarkohen me veprat penale , pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal, keqpërdorim i pozitës zyrtare, ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, posedim i paautorizuar i armës, zbulim i fshehtësisë zyrtar dhe keqpërdorim i detyrës zyrtare duke manipuluar me prova.
Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, përpara lokaleve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut.