Takimi i përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me ministrin e Financave dhe atë të Arsimit ka përfunduar pa ndonjë zgjidhje për ndërprerjen e grevës. Takimi i cili u zhvillua me ftesë të Komisionit Parlamentar për Arsim është përcjellur me përplasje në mes të ministrit Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të SBAShK-ut. Këta të fundit kanë deklaruar se e pranojnë shumën prej 50 euro të ndarë nga qeveria por duan rritje të pagës bazuar në rritjen ekonomike të vitit të 2021 (10.45%).
Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala tha se gjithashtu kërkojnë që në vitin 2023 të rishikohet rritja ekonomike e vitit paraprak dhe të bazë të saj të bëhet rritja e pagës nga janari 2023.
“Tani ka një ndryshim sa i përket kërkesës së parë, ne kemi bërë këtu një lëshim, kemi pranuar pakon ekonomike prej 50 euro por kërkojmë edhe rritjen e pagës në bazë të rritjes ekonomike të vitit 2021 që ka qenë bruto[produkti vendor e që sipas ASK-së është 10.45%. Kemi bërë lëshim, e pranojmë këtë pakon ekonomike 50 euro por njëherit të rritet paga për vlerën 10.45. Njëherit kërkojmë që në vitin 2023 të rishikohet prap sa do të jetë rritja ekonomike e vitit 2022 dhe të shikohet sa është shkalla e inflacionit dhe në bazë të rritjes ekonomike në 2022-ën dhe shkallës së inflacionit, të bëhet rritja e pagës që nga janari 2023”, tha ajo.
Ajo tha se kërkojnë që komentet e tyre të merren parasysh në projektligjin për paga.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha se qeveria dizajnon pako për të gjitha kategoritë dhe nuk mund të ketë rritje për kategori të caktuara.
“Çdo lëvizje tjetër tash, nëse shtohet te një kategori duhet me marrë te kategoria tjetër, pra nëse kërkohet këtu që të rritet për një kategori siç janë për shembull mësimdhënësit, apo punëtorët e sektorit publik duhet me marrë edhe te pensionistët, pra duhet me zvogëlu me heq ose te studentët ose te një kategori tjetër. Pako prej 150 milion euro korrespondon me shumën që e kemi kaluar në rishikim buxhetor, besoj ju kujtohet. Nëse pretendohet që mundet më shumë duhet të tregohet cilës kategori po sugjeroni me ua marrë, unë nuk jam, unë mendoj që familjet me asistencë sociale kanë nevojë më shumë, mendoj që pensionistët kanë nevojë më shumë, mendoj edhe studentët kanë nevojë, prandaj si qeveri e kemi dizajnuar këtë pako që gjithë qytetarët e republikës t’i mbështesim nga pak”, tha ai.
Ai ka kritikuar përfaqësuesit e Këshillit Grevist se qëllimisht po synojnë mosmarrëveshje.
“Këta as që ua kanë prezantuar anëtarësisë ofertën që e kanë marrë nga qeveria, as që e kanë prezantuar para anëtarësisë, kemi të bëjmë me këtë nivel të diskutimit. U tha se i keni kërkesat, prandaj e pyeta a janë të njëjtat, sepse negocimi dhe diskutimi bëhet, janë kërkesat fillestare dhe tentohet të gjendet një kompromis, nuk mund të arrihet marrëveshje duke tentuar kompromis me kërkesa të cilat vazhdimisht ndryshojnë, ju ftoj media të nderuara, mund të shikoni kërkesat fillestare që kanë qenë të këshillit grevist të publikuar më datë 17 gusht kur është nisur greva dhe krahasoni me këto kërkesa që kemi sot, nuk janë të njëjta dhe normalisht që nuk mund të merresh vesh me dikë që qëllim e ka mos marrëveshjen sepse sapo qeveria lëvizë diçka këta shtojnë kërkesë tjetër ose e ndryshojnë kërkesën”, tha Murati.
Por sipas Ymer Ymerit nga SBAShK-u, ata komunikojnë në vazhdimësi me anëtarësinë dhe të njëjtit janë të njoftuar për çdo propozim nga ana e qeverise.
“Ende pa dalë ju me 50 euro ne e kemi pyet anëtarësinë dhe anëtarësia na ka thënë jo, po më dëgjojnë se jam duke folur publikisht, ende pa dalë të shtunën me ofertën me 50 euro ne i kemi pyetur, janë duke dëgjuar anëtarësia. Lexo drejtë kërkesën për ligjin e sigurimeve shëndetësore dhe mos e interpreto keq se ke qëllim mos me arrit marrëveshje. Thotë deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i ligjit për sigurime shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2023. Nuk kemi thënë rrimë në grevë derisa të bëhet ligji”, tha ai.
Në këtë takim përplasje ka pasur edhe pasi ministri Murati tha se Ymer Ymeri i SBAShK-ut është i afërt me subjekte të caktuara politike.
“Nga ana e përfaqësuesve të këshillit grevist u tha se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë, por konsideroj që megjithatë duhet t’i njohim më mirë. Prandaj nëse më lejohet kisha disa pyetje për anëtarët, për shkak se për zotëri Ymerin është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike…”, ka thënë Murati.
Ndërsa ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci kërkoi që mësimi të fillojë menjëherë dhe të vazhdojë dialogu social.
“Greva është shpallur nga BSPK, për të gjithë zyrtarët publik, përfshirë edhe zyrtarët këtu në Kuvend, ministri gjithandej, kërkesat janë për të gjithë, të gjithë janë duke punuar, vetëm fëmijët nuk janë në shkollë. Ju lutem shumë, e vazhdojmë diskutimin, fëmijët i dërgoni në shkollë, le ti lejojnë edhe arsimtarët të punojë si të gjithë të tjerët”, tha Nagavci.
Kërkesë për hapje të shkollave kanë pasur edhe deputetët e këtij komisioni, por të njëjtit kanë kërkuar që qeveria të ofrojë zgjidhje.
“Ministër, shkruaj kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, bisedo me kryeministrin, të gjejmë një zgjidhje. Me përulësinë më të madhe e them për shkak të ardhmërisë sonë, ne e dimë që dimri po vjen është krizë gjithandej në rajon e në botë, do të ballafaqohemi me mungesë të energjisë, shkollat tona me këto kushte të cilat i kanë, a do të ketë ngrohje, a duhet me u ndërpre mësimi, ne kaluam periudha të vështira në kohën e pandemisë ju lus që me këtë paketën e 150 milionëshit të cilën ju e keni dizajnuar, uluni rishikoni dhe ta bëjmë një zgjidhje”, tha deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.
Ndërsa kryetari i komisionit, Ardian Gola ka paraqitur një propozim për të cilin përfaqësuesit e SBAShK-ut janë zotuar se do t’ua përcjellin anëtarësisë.
“Mos më jepni përgjigje tani, ju kisha lutë mbi të gjitha si prind a është e mundur që deri të arrihet një marrëveshje të themi një lloj moratorium të këtij procesi të mos marrëveshjes, që fëmijët t’i rikthejmë në proces mësimor, të mos ua vendosim notat që prap po them mund të jetë presion goxha i fuqishëm sindikal në raport me qeverinë, dhe ditëve në vijim ta intensifikojmë komunikimin me qeverinë dhe sindikatat dhe jam shumë i sigurt që përgjatë kohës pashmangshëm do të përafrohen pozicionet dhe do të mund të gjendet një zgjidhje. Por mos të paguajnë fëmijët dhe t’i përdorim notat si formë të presionit sindikal”, tha ai.
Në këtë takim, ministrja Nagavci tha se e vetmja pikë me të cilën nuk pajtohen me SBAShK-un është kërkesa për 100 euro.
“Kërkesa jonë është që të vazhdojmë dialogun dhe flasim për plot çështje, qysh kemi bashkëpunuar deri tash të vazhdojmë edhe tutje, të fillojë mësimi ju lutem të gjithëve. Për të gjithë ata që janë të ndershëm këtu dhe gjithë ata që ia duan të mirën arsimit, kërkojmë me u hap shkollat menjëherë, pastaj e vazhdojmë diskutimin sepse kemi shumë gjëra me diskutu për arsimin, ka shumë gjëra që duhet me punu të gjithë bashkë, mos na merrni edhe energji me diskuktu për gjëra që nuk është dashur me u diskutu. Sikurse i kemi zgjidh 99% të kërkesave e zgjidhim edhe këtë të fundit, e zgjidhim por filloni mësimin…”, tha Nagavci.
Kjo deklaratë e Nagavcit ka bërë që deputetët e PDK-së ta lëshojnë takimin pak para se ai të përfundojë.
“Ne nuk kemi këtu nevojë me dalë dhe me duartrokitë as asaj dhe as kësaj pale, situata është shumë më shumë serioze sesa kaq, a ka propozim të ri zotëri kryetar, nëse ka propozim të ri, sot je në pushtet nesër nuk je, nesër vjen tjetri, kalohet ky petku politik, nëse nuk ka propozim të ri me i dëgju ne këta e me u bë spektrorë, fjalime të kalamajve që kanë dalë prej çerdheve e kanë ardhur këtu, atëherë ne nuk rrimë nëse nuk ka propozim të ri”, tha ai.
Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka hyrë në grevë më 25 gusht 2022.