UBT News

​Takimet e Osmanit me senatorë e kongresistë amerikanë, diskutohet për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja Vjosa Osmani ka takuar liderin e shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistin Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kongresin Amerikan.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu është pritur gjatë ditës djeshme në takime nga lideri i shumicës parlamentare në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kongresisti Steny Hoyer, kongresisti Darrell Issa dhe bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, senatori Ben Cardin dhe kongresisti Steve Cohen.

Në një komunikatë për media bëhet e ditur se gjatë takimit me kongresistin Hoyer, Osmani diskutoi rreth rëndësisë së përkrahjes amerikane në Kosovë e më gjerë, si dhe për domosdoshmërinë e mbrojtjes së demokracisë e lirisë, e cila në Kosovë është arritur pas shumë sakrificave. Në takim po ashtu u bisedua rreth zhvillimeve në kontinentin evropian pas luftës në Ukrainë. Kongresisti Hoyer siguroi presidenten Osmani që Kosova do të vazhdojë të ketë mbështetjen e fuqishme amerikane.

Në takim me kongresistin Darrell Issa, i cili njëherësh është anëtar i grupit për çështje shqiptare, u diskutua për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO si dhe për situatën e sigurisë në rajonin tonë. Presidentja Osmani e falënderoi kongresistin Issa që është një zë i rëndësishëm në përkrahje të Kosovës duke potencuar fushat e ndryshme të interesit të dyanshëm ku mund të rritet bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ndërkaq, në takime të ndara me bashkudhëheqësit e komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë në Kongresin Amerikan, senatorin Ben Cardin dhe kongresistin Steve Cohen, Osmani i falënderoi për mbështetjen që historikisht i kanë dhënë Kosovës dhe potencoi rëndësinë e vazhdimit të kësaj mbështetjeje në periudhën në vijim të fuqizimit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës. Gjatë takimit me senatorin Cardin dhe kongresistin Cohen, Osmani diskutoi edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, sigurinë në kontinentin tonë, ndikimin malinj të Rusisë dhe nevojën që ShBA të jetë sa më shumë prezente në rajonin tonë. 

Exit mobile version