Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për Ukrainën dhe jemi të gatshëm të dërgojmë sa më shumë armë, padyshim që parlamenti do të informohet përpara se ta bëjmë këtë, deklaroi ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
“Kemi dërguar mbi 50 tonë materiale elektrike për rindërtimin e rrjetit elektrik të shkatërruar nga sulmet ruse. Jemi në diskutime me francezët për armët e mbrojtjes ajrore. Gjithashtu dje gjatë takimit mes kryeministrit japonez dhe kryeministres, Giorgia Meloni ripërsëritëm synimin tonë për të mbështetur pavarësinë totale të Ukrainës”, theksoi ai.
Ka rifilluar në senatin italian edhe shqyrtimi i dekretit për zgjatjen e transferimit të materialeve ushtarake në Ukrainë deri më 31 dhjetor 2023.
Asambleja ka shqyrtuar dhe hedhur poshtë dy amendamente.
Sot pritet votimi përfundimtar. Më pas dispozita do t’i kalojë parlamentit për miratimin përfundimtar./ATSH