Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit (ZRrE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike do ta rrisë kërkesat për të lëshuar Kosovën.
Sipas tij, ka sinkronizim mes qeverisë, LVV-së dhe ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike. Ai ka paralajmëruar edhe ndjekjen e rrugëve ligjore për të kundërshtuar një vendim të tillë.
“Një vendim i cili rëndon jetën e çdo qytetari, kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për qytetarët. Mos-angazhimi i qeverisë e ka sjell çdo ditë e më shumë dhe po rëndon gjendjen e qytetarëve në Kosovë. Kemi kërkuar në vazhdimësi që të merren masa dhe të shpallet gjendje e jashtëzakonshme dhe këta janë qëndruar të heshtur para kësaj krize. I kemi paralajmëruar dështimin e tyre, por në vazhdimësi kemi parë një mos-përfillje”, tha ai.
Tahiri në konferencën e sotme tha se “Po e shihni që në vendin tonë tashmë kemi një fluks masiv të largimit të njerëzve nga Kosova. Vendimi i sotëm i ZrRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike veçse do të rrisë kërkesat dhe ambiciet e qytetarëve për ta lëshuar Kosovën”.
Në konferencë për media, ai tha se do të ftojnë një seancë për të votuar një rezolutë për mos-shtrenjtim të energjisë elektrike dhe po ashtu se do të ndjekin edhe rrugët ligjore.
“Duke filluar nga departamenti administrativ i Gjykatës Themelore por edhe Gjykatës Kushtetuese, nëse ka nevojë”, ka shtuar ai.