Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës të qartësojë pozicionin e saj sa i përket Marrëveshjes së Uashingtonit dhe çështjes së rinegocimit të asaj me Malin e Zi që ka të bëjë me demarkimin e kufirit.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Tahiri ka thënë se partnerët e Kosovës tashmë kanë filluar hapa konkret që lidhen me Marrëveshjen e Uashingtonit, andaj sipas tij, kryeministri duhet të tregojë pozicionin e tij në këtë çështje.
“Cili është qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës rreth marrëveshjes së Uashingtonit, tashmë kanë filluar edhe hapa konkret nga partnerët tanë ndërkombëtar që kanë marrë obligime nga ky proces, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës e siç ishte para dy ditë sjellja e një plani për Ujmanin. Cili është qëndrimi i kryeministrit, ne e dimë që kryeministri dikur ka deklaruar që kjo është listë e zotimeve, pra nuk është marrëveshje ndërkombëtare, në anën tjetër zyrtarë të tjerë të qeverisë kanë deklaruar se kjo marrëveshje nuk ka bazë juridike që të impelementohet”, tha Tahiri.
Tahiri gjithashtu ka folur për nënshkrimin e marrëveshjes në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi, për bashkëpunim ndërkufitar, për çka ka thënë se para nënshkrimit të një marrëveshje të tillë, ekzekutivi duhet të merret me rinegocimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi.
“Pse pra sot kjo mazhorancë dhe ky kryeministër po heq dorë prej rinegocimit dhe kthimit të atyre tetë mijë hektarëve mbi bazën e të cilave keni ushtruar një dhunë të jashtëzakonshme ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës në vitin 2016. Ju e pat që kryeministri i Republikës së Kosovës tha që nuk kemi marrë një zotim nga presidenti francez për çështjen e liberalizimit të vizave, ka qenë pikërisht ky angazhim i juaji në vitin 2016 që e ka humbur momentumin më të favorshëm dhe më të volitshëm për liberalizimin e vizave. Pra cili është pozicioni juaj sot, ju jeni qeveri dhe nuk mund të fshiheni pas këtyre qëndrimeve që ju i keni proklamuar me vite të tëra”, tha ai.