UBT News

​Tahiri: Qeveria nuk po ndërmerr asnjë veprim për krizën energjetike që po vjen

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë që Qeveria po tregon neglizhencë në raport me trajtimin e krizës energjetike që sipas tij po i afrohet Kosovës.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka thënë se në takimet që i kanë pasur me Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, KEDS-in dhe KESCO-n, mësohet se vendit po i afrohet një krizë e papërballueshme.

“Kërkojmë nga Qeveria që urgjentisht ta trajtojë temën e furnizimit me energji elektrike, kërkojmë nga ju që të trajtoni procesin e kontraktimit të kontratave afatgjate, kërkojmë nga ju që të riktheni menjëherë nesër taskforcën që merret me krizën që po na vjen. Informacionet që i kemi drejtpërdrejt nga ZRrE, nga KEDS, thonë që kriza do të jetë e papërballueshme, se vendet e Bashkimit Evropian, si Gjermania, si Zvicra vetëm se i kanë lajmëruar qytetarët për t’u ballafaquar me këtë krizë. Çka bën Qeveria e Kosovës, nuk bën asnjë veprim, pra ka një pazotësi klasike me u marrë në mënyrë proaktive me çështjet që do të na vijnë”, ka thënë Tahiri.

Tahiri ka thënë se Qeveria ende nuk i ka transferuar mjetet të cilat i ka zotuar për subvencionimin e energjisë elektrike dhe sipas tij, si rrjedhojë e kësaj ka ardhur deri të një kërkesë për tarifa të jashtëzakonshme.

Exit mobile version