Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, tha se nuk dëshiron që ta besoi që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ndërton qëndrimin e tij mbi dialogun në bazë të atyre çka merr nga Lajçak dhe Borelli.
Tahiri u shpreh se konsultimi i kryeministrit Kurti me Lajçak dhe me Borrell e nxorën Kosovën shumë keq dhe se moskoordinimi mes ish-kryeministrit Hoti dhe kryeministrit Kurti e ka nxjerrë Kosovën në një pozicion qesharak.
“Vazhdimisht e ka ritheksuar që një dialog me nguti i konvenon veç Serbisë, sepse Serbia e merr datën, ndërsa ne nuk e marrim ulësen në OKB. Pra pse po ngutet kryeministri, a po ngutet që Serbia me marrë datën për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe ne mos me marrë ulësen në OKB. Prandaj, kjo është një çështje e cila kërkon përgjigje nga Kurti. Çështje tjetër që realisht e nxori Republikën tonë shumë keq është edhe çështja e konsultimit me Lajcak dhe Borell për procesin se ku ka mbetur procesi i dialogut. Prandaj, një moskoordinim i mirë nga ish-kryeministri i mëhershëm Hoti dhe kryeministri Kurti e nxjerri Republikën e Kosovës në pozicion shumë qesharak, shumë të dëmshëm dhe e dëmtoi imazhin tonë. Nuk po dua të besoj që kryeministri jonë e ndërton qëndrimin e tij në këtë proces mbi bazën e atyre se çka merr nga Lajcak”, tha ai.
Sa i përket vizitës së kryeministrit Kurti në Bruksel javën e kaluar, Tahiri tha se kjo ishte një vizitë përgatitore për takimet e radhës që do të mbahen në kuadër të dialogut.
Tahiri i ka përmendur katër etapa të cilat kryeministri Kurti i kishte listuar si kërkesa nga ish-Qeveria Haradinaj.
“Ia përkujtojmë kërkesën e tij për shqyrtimin e rezultateve të dialogut aktual, pse po fillon dialogu pa u shqyrtuar rezultatet e dialogut që ka ecur tash e 10 vite. Pra, pse po fillon ky proces pa i pa dështimet në këtë proces, cilat marrëveshje janë respektuar nga palët si nga Republika e Kosovës ashtu edhe nga republika e Serbisë dhe cilat nuk po implementohen tash e 10 vite. E dyta, ka kërkuar përcaktimin e synimeve të Kosovës dhe kërkesat e Kosovës ndaj Serbisë, pra pse Kurti po hyn në një proces ende pa i përcaktuar kërkesat tona ndaj Republikës së Serbisë. Pra, mendoj që qytetarët kërkojnë dhe meritojnë një përgjigje nga z.Kurti dhe nga Qeveria e tij. E treta, parimet dhe kushtet e dialogut, pra për parimet kemi dëgjuar po si duket prej kushteve ka hequr dorë. Ne kërkojmë nga z.Kurti t’ia bëjë me dije qytetarëve të Kosovës dhe deputetëve të Kosovës se a qëndrojnë ende kushtet e tij se pa u zbardh fati i të pagjeturve procesi i dialogut nuk mund të fillojë. E katërta, ekipi negociator, strategjia dhe udhëheqësit. Pra, me çfarë ekipi negociatorësh kryeministri Kurti po shkon në Bruksel dhe kush e udhëheq këtë ekip, a do ta udhëheq kryeministri Kurti apo do ta udhëheqë presidentja Osmani”, tha ai.
Ai ka pyetur se cili është qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës karshi marrëveshjes së Uashingtonit.