Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka kërkuar të ndërpritet seanca e sotme plenare dhe të mblidhet Komisioni për Buxhet.
Tahiri ka shtuar se në këtë komision duhet të ftohen organizatat e veteranëve të luftës dhe ministri i Financave për fillimin e dialogut. Ai pas vazhdimit të seancës plenare, ka njoftuar se janë takuar me kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
“Ne e kishim një takim më herët në zyrën tuaj, dhe si grupe parlamentare të opozitës kërkuam që të adresojmë shqetësimet dhe kërkesat e veteranëve të UCK-së, një padrejtësi e tyre e cila ka ndodhur, pikërisht me një angazhim të madh të qeverisë Kurti. Mendoj që kjo padrejtësi duhet të korrigjohet, duke lënë jashtë të një procesi të tillë kategorinë e veteranëve të luftës, ku me pagën minimale përcaktohet minimumi i të ardhurave me të cilën mund të jetojë një familje në Kosovë dhe ajo e pamjaftueshme, t’i lëmë anash edhe nga kjo pagë minimale është e pa tolerueshme”, ka deklaruar ai.
Tahiri tha se veteranët po kërkojnë të drejtat e tyre, për çka edhe në respekt të tyre duhet të ndërpritet seanca.
“Po kërkojmë sqarim se ne kishim një takim më herët, dhe kërkesat tona ishin më se të arsyeshme: sot në respekt të atyre njerëzve që në këto temperatura të larta po protestojnë për një të drejtë të tyre legjitime, të ndërpremë këtë seancë. Të mblidhet Komisioni i Buxhetit dhe Transfereve së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Financave të Qeverisë së Kosovës dhe të ftohen edhe të përfaqësuesit e organizatave të veteranëve të luftës, të fillojë një dialog mes tyre dhe të gjejmë një kompromis që kjo kategori e cila është më se meritori, mos të lihet jashtë këtij procesi”, tha Tahiri.
Ndërkohë në oborrin e Kuvendit, me qindra veteranë po protestojnë që katër orë me kërkesën për tërheqjen e projektligjit për pagën minimale, i cili është miratuar në lexim të parë.