UBT News

​Tahiri i AAK-së: Kuvendi është bllokuar tash e sa muaj

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se Kuvendi i Kosovës është i bllokuar tash e sa muaj edhe pse shumica parlamentare ka mbi 50 përqind. Ai tha se ka shumë ligje të rëndësishme që presin të trajtohen e që për shkak të mungesës së kuorumit nuk po arrihet të procedohet tutje.

“Në historinë e jetës parlamentare nuk mbahet mend që një shumicë të ketë mbi 50 përqind, ndërsa këto mbledhje të kryesisë dështojnë. Ligji për pagat në sektorin publik, ligj i cili është në agjendë është shumë i rëndësishëm që trajton pagën në një situatë kur janë rritur çmimet”, tha ai.

Tahiri tha se nga mosmbajtja e seancave janë grumbulluar afër 40 pika të rendit të ditës, e që tha se për trajtimin e tyre duhen të paktën katër ditë.

“Kuvendi është i bllokuar tash e disa muaj. Nëse shohim rendin e ditës, shohim që ne kemi mbi 30 pika, kur të nisim seancën të paktën katër ditë duhet të punojmë. Do të kemi një seancë maratonike”, tha ai.

Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se prej konstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk po arrihet që të ketë një funksionim të mirëfilltë të Kuvendit. Sipas tij, përgjegjësia duhet të bie mbi mazhorancën.

Exit mobile version