Kosova është përmirësuar shumë në aspektin e integritetit zgjedhor i cili nuk është vetëm detyrë e Komisionit Qendror Zgjedhor, por edhe detyrë e qytetarëve.
Kështu ka thënë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog në shënimin e Ditës Globale të Zgjedhjeve me temën: “Pjesëmarrja në zgjedhje në Republikën e Kosovës dhe roli i institucioneve”, të organizuar nga KQZ.
Szunyog tha se BE është e interesuar të shoh përmirësimin e procesit zgjedhor në pajtim me standardet ndërkombëtare.
“Nuk është vetëm detyrë e KQZ-së që të sigurojnë se zgjedhjet janë të mbajtura me integritet por është edhe detyrë e qytetarëve. Integriteti zgjedhor është shumë i rëndësishëm dhe është e rëndësishme të dimë që çdo votë shkon aty ku duhet… kemi pas edhe raste kur kemi pas disa mashtrime në zgjedhje dhe kjo ka luhatur besimin e njerëzve në proceset zgjedhore dhe në sistemet demokratike. Kosova është përmirësuar shumë në këtë fushë. Më lejoni që ta theksoj se ne jemi të interesuar që ta shikojmë përmirësimin e procesit zgjedhor në pajtim me standardet ndërkombëtare. Dëshirojë ta shikoj këtë proces të përmirësuar dhe kompletuar me një ligj të ri dhe rregulla të reja”, tha ai.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se KQZ ka miratuar dokumentin “trendët zgjedhore 2009-2021”, i cili është gjithëpërfshirës dhe prezanton të dhënat që u takojnë pesë proceseve zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe katër procese për komunat.
“Në pjesën e tretë të këtij dokumenti mund të themi se është pjesa më thelbësore e tij sepse paraqiten të dhënat në votime sipas 6 grupmoshave, të ndarë sipas gjinisë dhe komunave. Kjo pjesë ka një volum të madh të informacionit. Duke u mbështetur në të dhënat e analizuara, mund të konstatojmë se votuesit që i takojnë grupmoshës 18-21 vjeç, shënojnë përqindjen më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje, e ndjekur nga votuesit e grupmoshës 41 deri 46 vjeç. Përqindja e pjesëmarrjes në votime në ditën e zgjedhjeve te grupmosha 18-21 vjeç, në të shumtën e rasteve ka kaluar 50 përqind”, tha ai, duke shtuar se ky dokument ofron të dhëna të detajuara për pjesëmarrjen në zgjedhje në çdo komunë dhe sipas gjinisë, përqindjen e pjesëmarrjes për cdo komunë dhe përgjatë çdo procesi zgjedhor.
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi uroj Ditën Globale të Zgjedhjeve, të zgjedhjeve duke dhënë detaje për punën e KQZ-së edhe në kohërat kur nuk ka zgjedhje, duke veçuar edhe kontributin për reformën zgjedhore.
“I kemi kushtuar vëmendje publikimeve të cilat në shumë se sa vet neve në institucion do t’i shërbejnë edhe palëve të tjera, partive politike, studiuesve, mediave, shoqërisë civile dhe vëzhguesve. Besoj shumë se edhe ky dokument që do të lanësohet sot ka këtë qëllim q do t’i shërbej palëve, pra është një dokument që ofron me mijëra të dhëna për shumë aspekte të procesit zgjedhor dhe për çdo komunë të Republikës së Kosovës…..reformën zgjedhore e shohim si një mundësi të madhe për të adresuar të gjitha sfidat me të cilat është përballur ky institucion prej kaq kohësh. Pavarësisht arritjeve të mëdha që Kosova ka shënuar gjatë proceseve zgjedhore nga viti në vit, është e natyrshme që ato të përmirësohen vazhdimisht dhe natyrisht të ndryshohen edhe ligjet për t’u përshtatur zhvillimeve”, tha ai.
Eugen Cakolli nga Demokracia në Veprim, tha se pjesëmarrja në zgjedhje tregon demokratizimin e një vendi.
“Fatkeqësisht në gjithë botën, e në veçanti edhe në Kosovë, pjesëmarrja në zgjedhje ka trendë të rënie që tregon shumë për problemet politike me të cilat ballafaqohen demokracitë sot. Në rastin e Kosovës për më keq, kemi të bëjmë me faktin që kjo pjesëmarrje e ulët në zgjedhje është e lidhur me faktin se listat nuk e reflektojnë situatën reale me numrin e votuesve të cilët janë në Kosovë”, tha ai.
Lidhur me këtë dokument dhe kontributin për organizimin e zgjedhjeve në vend, foli edhe drejtoresha për demokratizim në OSBE,Pascale Roussy.
Përndryshe, gjatë prezantimit të dokumentit, u tha se duke u mbështetur në të dhënat nga listat përfundimtare të votuesve, në secilin nga proceset zgjedhore nga viti 2009 deri më 2021, meshkujt përbëjnë numrin më të madh të qytetarëve me të drejtë vote.
Kjo diferencë sillet nga rreth 40 mijë në rreth 50 mijë më shumë votues meshkuj. Po ashtu, edhe pjesëmarrja në votime është më e lartë tek meshkujt, gjatë proceseve zgjedhore të mbajtura nga 2009 deri më 2021.