UBT News

​Szunyog flet pas takimit, tregon çka kërkoi nga kryetarët e komunave veriore

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe ai i Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog, takuan kryetarin e Zveçanit, Ilir Peci, dhe atë të Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, të cilëve u bënë thirrje të mos bëjnë veprime që mund të përshkallëzojnë situatën në veri.

Kryetarëve që janë nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, tha se i ftuan që të tregojnë përmbajtje.

“I lumtur të pres ambasadorin amerikan në Kosovë dhe kryetarët e sapozgjedhur të komunës së Zveçanit, z. Ilir Peci dhe atë të Zubin Potokut, z. Izmir Zeqiri, sot në zyrën tonë, me të cilët diskutuam për zhvillimet aktuale në veri të Kosovës. Ambasadori Hovenier dhe unë u bëmë thirrje dy kryetarëve të komunave që të tregojnë përmbajtje dhe të mos përdorin veprime që mund të përshkallëzojnë më tej situatën. Më vjen keq që kryetarët e Leposaviqit dhe Mitrovicës së Veriut nuk mundën të na bashkohen”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Takimi i diplomatëve me kryetarët e zgjedhur është mbajtur në ditën kur disa serbë në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq po protestojnë duke kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale.

Situata në këto komuna është tensionuar të premten e 26 majit kur kryetarët e betuar u detyruan të futën në zyrat e tyre të punës nën asistencën e Policisë së Kosovës.

Pesë policisë mbetën të lënduar ndërsa katër vetura u dëmtuan, si pasojë veprimeve të protestuesve.

Kryetarët shqiptarë kanë dalë nga zgjedhjet e 23 prillit në katër komunat veriore të vendit, zgjedhje këto të cilat janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lisa Serbe, me përkrahjen e Beogradit zyrtar.

Exit mobile version