UBT News

​Sveçla: S’do të lejojmë asnjë veprim që cenon misionin e Policisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka komentuar suspendimin e drejtorit rajonal të Policisë në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriq, duke thënë se refuzimi i zbatimit të vendimit legjitim të institucioneve të Republikës së Kosovës është mbi të gjitha cenim i rëndë i sigurisë dhe stabilitetit të vendit tonë.

“Në kuptim të këtyre veprimeve të përsëritshme, pas kërkesës së Inspektoratit Policor të Kosovës dhe inicimin e hetimeve penale, është suspenduar Drejtori Rajonal i Policisë në Mitrovicën e veriut, Nenad Gjuriq. Policia e Kosovës është një dhe të gjithë pjesëtarët e saj duhet të kenë të njëjtin mision: sundimin e ligjit dhe krijimin e ambientit të sigurt për të gjithë qytetarët pa dallim. Nuk do të lejojmë asnjë veprim që cenon këtë mision dhe bashkë me Policinë e Kosovës do të vazhdojmë zbatimin e tij”, ka shtuar ai.

Sot ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm i Policisë së Kosovës me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), ka suspenduar nga ushtrimi i detyrave të përgjithshme të punës dhe autorizimeve policore drejtorin rajonal të Mitrovicës Veri, Nenad Gjuriq për mosrealizim të autorizimeve ligjore dhe zbatim të vendimeve zyrtare.

Suspendimi i tij është mbështetur në autorizimet ligjore, udhëzimin administrativ për shkeljet, masat dhe procedurat disiplinore në Policinë e Kosovës dhe rekomandimit të IPK-së.

Pas këtij vendimi, Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’u bëjë thirrje të gjithë serbëve që të largohen nga institucionet e Kosovës.

Exit mobile version