UBT News

​Sveçla premton sigurim shëndetësor për policët

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti së bashku me drejtuesit më të lartë të policisë, priti në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla me bashkëpunëtorë, ku ka thënë se do ta mbështesë Policinë në të gjitha format e mundshme, përfshirë përkrahjen në Ligjin për Pensionim të Parakohshëm, për Sigurimin Shëndetësor e çështje tjera që janë në interes të PK-së.

Gjatë takimit, Mehmeti përmes një prezantimi të punës së Policisë së Kosovës e njoftoi ministrin me angazhimet, rezultatet dhe aktivitetet policore në zbatim të objektivave strategjike dhe angazhimet konkrete në fusha të veçanta, përfshirë angazhimet në zbatim të vendimeve për parandalim të pandemisë.

“Pjesë e prezantimit ishin edhe projektet e planifikuara si “Plani vjetor i punës, “Plani për fuqizimin e integritetit në Policinë e Kosovës 2021-2025”, “Plani Strategjik Zhvillimor 2021-2025”, “Strategjia e Integruar e Policimit të drejtuar nga Intelegjenca dhe Policimit në Bashkësi 2021-2025”, “Projekti i vendosjes së kamerave në stacione policore dhe kamerave që pritet në të ardhmen të vendosen tek zyrtarët policorë (kamerat e trupit)”. Po ashtu, u veçuan edhe projektet e vendosjes së GPS-ve në automjete, realizimi i projekteve mbi trajnimet shtesë në fusha të ndryshme si, komunikimit, sjelljes dhe disiplinës, integritetit dhe përformancës, taktikave mbrojtëse dhe përdorimit të forcës, ricertifikimit të zyrtarëve policorë, përfshirë edhe sfidat me të cilat ballafaqohet PK-ja”, thuhet në njoftim.

Ministri i MPB-së, Sveçla, në fjalën e tij, falënderoi Policinë për rezultatet e arritura, për punën dhe angazhimet në drejtim të ofrimit të rendit dhe sigurisë publike në vend, përfshirë angazhimet dhe masat policore që po ndërmerren në parandalimin e përhapjes së pandemisë me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik, ku PK-ja së bashku me personelin mjekësor janë në vijë të parë të frontit, andaj përkujtojë zyrtarët policorë të rënë në kryerje të detyrës, përfshirë zyrtarët të cilët fatkeqësisht kanë humbur jetën nga pandemia ‘Covid-19’.

Ministri Sveçla kërkoi nga PK-ja që të ngritet edhe më tej efikasiteti dhe efektiviteti në punë, performanca dhe integriteti policor, transparenca, përgjegjësia dhe llogaridhënia, rritja e bashkëpunimit me komunitetin si dhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Exit mobile version