Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se tashmë ka filluar shpërndarja e dokumentit për hyrje-dalje në pikat kufitare të Kosovës, me përjashtim të Jarinjes dhe Bërnjakut, të cilat vazhdojnë të jenë të mbyllura për shkak të barrikadave të vendosura nga strukturat ilegale serbe.
“Të gjithë personat që posedojnë dokumente të lëshuara nga autoritetet e Serbisë, do të pajisen me dokumentin hyrje-dalje e cila ka afat vlefshmërie 90 ditë brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shkruan Sveçla në Facebook.
“Ky vendim do të vazhdojë të implementohet derisa të largohen të gjitha barrikadat dhe të sigurohet liria e lëvizjes së qytetarëve dhe mallrave. Në momentin e largimit të të gjitha barrikadave dhe pengesave, ky vendim do të pezullohet deri më 1 shtator 2022”, ka shtuar ai.