UBT News

​Sveçla: Lista Serbe nuk është për zgjedhje sepse e ka humbur mbështetjen në veri

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Lista Serbe është kundër mbajtjes së zgjedhjeve në veri të vendit sepse e njëjta e ka humbur mbështetjen nga komuniteti serb atje. Ai ka thënë se Kosova nuk guxon të bie në shantazh të atyre të cilët sipas tij ndjehen të rrezikuar nga sundimi i ligjit. Derisa ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, Sveçla ka thënë se nuk ka arsye të mos mbahen zgjedhjet e 23 prillit.

Ministri i Brendshëm ka deklaruar po ashtu se Policia e Kosovës, por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale në katër komunat në veri të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm.

“Sa i takon çështjes së zgjedhjeve Policia e Kosovës por edhe gjithë MPB është në dispozicion të KQZ-së në mënyrë që këto zgjedhje të vijojnë dhe të përfundojnë suksesshëm. Për ne është imperativ që këto zgjedhje të mbahen në një atmosferë të qetë dhe të sigurt qoftë për organizatorët, po ashtu edhe për vetë qytetarët atje, janë çështje e vendimeve politike të subjekteve të caktuara të cilat duan apo nuk duan të marrin pjesë në zgjedhje për këtë jemi të gjithë dëshmitar. Me rëndësi është që institucionet e Kosovës janë duke vijuar me organizimin e procesit zgjedhor ashtu siç është më së miri dhe unë jam i bindur se gjithë ky proces do të përfundoj i qetë, i suksesshëm duke i tejkaluar edhe problemet që i përmenda”, ka thënë ai.

Kjo përgjigje ka ardhur pas interesimit të kryetares së komisioni, Rrezarta Krasniqi, rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri.

“Edhe pasi që e dimë që tashmë gjendja në veri është pak më shqetësuese a mundesh me na tregua se si është gjendja atje tani sot, a munden me u mbajtur zgjedhjet data po afrohet më 23 prill”, ka pyetur ajo.

E deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj ka kërkuar të dijë se sa do të ketë siguri për mbajtjen e zgjedhjet në veri.

“Nëse mbahen në stacione të Policisë dhe me kallasha duke i ruajtur Policia sa kanë legjitimitet ne dëshirojmë me pas pjesëmarrje të serbëve në këto zgjedhje me u zgjedh institucionet demokratike për neve është më mirë serbët që e pranojnë Republikën e Kosovës me u zgjedh dhe me pas legjitimitet sesa Lista Serbe që dirigjohet prej Beogradit, por sa do të ketë siguri në zgjedhje”, ka pyetur Kadrijaj.

Ndërsa Sveçla ka deklaruar se nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave që veprojnë në atë pjesë të Kosovës.

“Nuk ka arsye që zgjedhjet të mos mbahen për shkak të sjelljes kriminale të disa bandave atje por edhe të refuzimit të Listës Serbe, është e qartë që segmente të caktuara atje të mbështetura nga Serbia refuzojnë sundimin e rendit dhe ligjit dhe refuzojnë demokracinë atje, tash ne si institucionet të Republikës së Kosovës kemi obligim që qytetarëve atje tu ofrojmë shansin për jetë të qetë dhe për rregullim demokratik jemi të obliguar. Pse një Listë ndihet e rrezikuar nga sundimi i ligjit nga mungesa e humbja e përkrahjes nga dora e zgjatur e ligjit ne nuk guxojmë të biem në shantazh të tyre. Nuk duhet të presim që Lista Serbe të na thotë se a duhet të mbajmë zgjedhjet apo jo apo do ta bojkotoj apo jo. Një prej arsyeve që ata nuk janë për zgjedhje është për shkak se brenda komunitetit që jeton atje kanë humbur mbështetjen”, ka thënë Sveçla.

Duke folur për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në pjesën veriore të vendit, Sveçla ka thënë se gjendja nuk është e kënaqshme por ka përmirësim në sundimin e ligjit dhe sigurisë.

Ndërsa sukses të Policisë së Kosovë në veri i ka vlerësuar aksionet kundër keqpërdorimeve të energjisë elektrike për të kultivuar kriptovalutat. E sa i përket dorëheqjes së ish-policëve në veri, Sveçla ka thënë se Kosova nuk ka humbur asgjë prej këtyre dorëheqjeve.

“Policia e Kosovës por as Kosova asgjë nuk ka humbur prej dorëheqjes së atyre të cilët i kanë raportuar Beogradit tashmë jemi në proces të rekrutimit të shtetasve tanë të komuniteteve të ndryshme me theks të veçantë në komunitetin serbe të cilët kanë filluar tashmë trajnimin në Akademinë Policore në Vushtrri për tu bërë pjesëtarë të Policisë, pjesëtar lojal të cilët punojnë sipas ligjeve të Kosovës.sa i takon kryetarëve të komunave ajo është çështje e vendimit të tyre politik Qeveria e Kosovës nuk mund të jetë e shantazhuar nga një grupacion i cili as nuk njeh as nuk punon për Republikën e Kosovës…Sa i takon MPB çështja e sigurisë në veri kurrë nuk ka qenë më e mirë, institucionet e sigurisë të Kosovës kurrë punë më të mirë nuk kanë bërë absolutisht kurrë për këtë jemi dëshmitar”, është shprehur Sveçla.

Krahas situatës në veri, ministri Sveçla gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane ka folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka thënë se falë angazhimit është kthyer në agjendë edhe çështja e liberalizimit të vizave.

E pas këtij deklarimi ka reaguar deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila ka thënë se për këto dy vite nuk mund të thuhet se nuk ka pas skandale pasi edhe numri i punëtorëve që po e braktisin administratën publike është i madh.

“Pak punë kemi parë për dy vite të kësaj qeverisë për të thënë se nuk ka pas fare skandale ne çdo ditë shohim braktisje të punëtorëve prej sektorit publik në administratën që ju folët çdo numri i punëtorëve që lëshojnë administratën është në rritje edhe raportet ndërkombëtare që ju sapo i cilësuat flasim për nivel të lartë të korrupsionit.. nuk keni nevojë sot me marr rol dhe me thanë që e kemi kthyer në agjendë sepse padrejtësisht I është mohuar një e drejtë substanciale e lëvizjes së lirë qytetarëve të Kosovës dhe uroj që javën e ardhshme të merret epilogu përfundimtar”, ka thënë ajo.

E sa i takon liberalizimit të vizave Sveçla ka thënë se puna e tyre më e suksesshme ka qenë takimet me përfaqësuesit me shtetet skeptike. Ndërsa ka theksuar se tashmë kanë filluar përgatitjet e Kosovës për procedurat pas marrjes së liberalizimit të vizave.

“Ka pas shumë shtete skeptike të cilat kanë qenë barrierë për arritjen e liberalizimit të vizave dhe unë mendoj se punë jonë më e suksesshme ka qenë në drejtim të takimit të këtyre përfaqësuesve të këtyre shteteve edhe pastaj sqarimin e këtyre skepticizmave. Vetëm për liberalizim të vizave unë kam qenë 5 herë në Francë, nuk po flas ekipet e mija, kam qenë unë”, ka theksuar ai.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj e ka pyetur ministrin se a janë rregulluar dy zyre të punës të njësive speciale në kampin Belvedere. Por këtë ministri i Punëve të Brendshme e ka mohuar duke e quajtur të pavërtetë.

“Nuk ka të vërtetë e dëgjova edhe dje nga një deputet i keni kanalet e verifikimit të informatave na pyesni drejtpërdrejt iu përgjigjemi ne si deputet por mos flisni gjëra që nuk qëndrojnë”, ka thënë ai.

Si sfidë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, Sveçla ka adresuar rrezikun nga sulmet kibernetike. Ai ka përmendur edhe rastin e sulmit ndaj gazetarit Valon Syla, për çka ka thënë se identifikimi dhe arrestimi i sulmuesve të tij është bërë në kohë rekorde.

I pyetur për Projektligjin për Pensionimin e Parakohshëm të Policisë, ministri Sveçla ka thënë se kjo çështje nuk është kompetencë e MPB-së, por në kuadër të Ministrisë së Financave.

Sa i përket planit kombëtar të zbatimit të MSA-së, ai ka thënë se prej 35 masave që janë nën përgjegjësinë e MPB-së deri në fund të vitit janë zbatuar 24 masa apo 68.57%, dhe nuk janë zbatuar 11 masa apo 21.43%. 

Exit mobile version