Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, ka dënuar protestën e organizuar nga kurdët në qendër të Stokholmit, ku një manekin, që i ngjasonte presidentit turk, u var nga një shtyllë. Ai e quajti këtë veprim si akt të sabotimit kundër aplikimit të Suedisë për anëtarësim në NATO.
Protesta e organizuar të mërkurën para ndërtesës së komunës së qytetit, nxiti reagime të ashpra nga Turqia, shtet anëtar i NATO-s që veçse po bllokon anëtarësimin e Suedisë në aleancë deri kur Stokholmi të plotësojë kërkesat e paraqitura nga Ankaraja.
Kryetari i Parlamentit të Turqisë, Mustafa Sentop, anuloi vizitën e homologut të tij suedez, Andreas Norlen, që ishte paraparë të zhvillohej të hënën. Ligjvënësit turq duhet të rafitikojnë aplikimin e Suedisë për anëtarësim në NATO, në mënyrë që ky shtet nordik të bëhet pjesë e aleancës ushtarake perëndimore.
Turqia i ka vendosur kushte Stokholmit, në këmbim të ratifikimit të anëtarësimit të Suedisë në NATO. Ankaraja ka kërkuar që Stokholmi të shtypë militantët kurdë dhe grupet e tjera që Turqia i konsideron si kërcënim për sigurinë e saj kombëtare.
Ministria e Jashtme e Turqisë thirri në bisedë ambasadorin suedez të enjten lidhur me protestën në Stokholm.
Kristersson tha se varja e manekinit që i ngjasonte presidentit të Turqisë,Recep Tayyip Erdogan, ishte një veprim “shumë serioz” që “tallej me ekzekutimin e një lideri të huaj, të zgjedhur në mënyrë demokratike”.
“Ky është sabotim kundër aplikimit të Suedisë në NATO. Një veprim i tillë është i rrezikshëm për sigurinë suedeze”.
Turqia: Suedia ende duhet të plotësojë kritere për t’iu bashkuar NATO-s
Në mediat sociale janë postuar fotografi të një manekini që i ngjasonte Erdoganit. Manekini ishte varur kokëposhtë.
Grupi që e quan veten Komiteti i Solidaritetit suedez për Rojava, tha se qëndron pas protestës.
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, tha se Partia e Punëtorëve të Kurdistanit dhe grupet kurde, “po vendosin mina në rrugën e Suedisë drejt NATO-s”.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, Suedia dhe Finlanda vendosën të aplikonin për anëtarësim në NATO. Të 30 anëtarët e aleancës duhet të pajtohen, në mënyrë që këto dy shtete të bëhen pjesë e NATO-s.
Turqia ka kërkuar nga Finlanda dhe Suedia që të veprojnë më shumë kundër grupeve që ajo i konsideron terroriste dhe të ekstradojë në Turqi personat që i kërkon për krime të lidhura me terrorizmin./REL