Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka deklaruar se aleanca ka shtuar forca të saj të sigurisë në Kosovë dhe se forcat e KFOR-it do të veprojnë nëse do të jetë e nevojshme. Ai këto komente i bëri sot në një konferencë për media pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
“Ne kemi forcat gati dhe do të veprojmë atëherë kur do jetë e nevojshme. E kemi shtuar praninë tonë në veri. Jam informuar në detaje se si është vendosja e tyre. Lëvizja jonë do të reflektojë nevojën dhe sfidën që mund të na paraqiten në terren. KFOR punon edhe me aktorë të tjerë, siç është policia e EULEX-it”, tha Stoltenberg.
Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha se dhuna duhet të refuzohet.
“Barrikada dhe dhuna nuk janë implementime sistematike. Pyetja është se si e intepretojmë çështjen e dhunës. Ne kemi mundësi të limituara për të ndërhyrë në Veri. Mos prisni që serbët të qëndrojnë dhe të shikojnë”, tha ai.
Vuçiq shtoi se dëshirojnë një marrëveshje kompromisi mes të dyja palëve.