UBT News

​Stoltenberg: NATO nuk kërkon luftë me Rusinë, është e rëndësishme që konflikti mos të përhapet përtej Ukrainës

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se kanë shtuar forcat ushtarake në shumë shtete të NATO-s dhe është me rëndësi që lufta mos të përhapet përtej Ukrainës.

Pas mbledhjes me ministrat e Punëve të Jashtme, Stoltenberg theksoi se NATO nuk kërkon luftë me Rusinë, pasi e njëjta do të ishte shkatërruese për njerëzimin.

“Ne nuk jemi pjesë e këtij konflikti dhe kemi përgjegjësi që e njëjta mos të përhapet përtej Ukrainës. Kjo do të ishte më shkatërruese dhe më e rrezikshme që do të sillte më shumë vuajtje njerëzore. NATO nuk kërkon luftë me Rusinë”, tha ai.

Në konferencë për medie për gazetarë, Stoltenberg përmendi çështjen e sigurisë në Gjeorgji dhe Moldavi, si dhe theksoi se siguria është e brishtë edhe në Bosnje Hercegovinë.

“Shumë sfida dhe rreziqe ekzistojnë, por ne kemi parë Rusinë duke ngritur fuqinë e vet kryesisht përmes ndërhyrjes apo përmes pushtimit ushtarak. Gjeorgjia është pushtuar nga Rusia, trupat ruse ende kanë forcat ruse që kontrollojnë pjesë të caktuara, po ashtu në Moldavi. Në Bosnjë Hercegovinë ne shohim një situatë të brishtë stabile. Por, edhe para pushtimit të Ukrainës nga Rusia, këto shtete kanë pasur sfida të mëdha që janë shkaktuar nga Rusia”, tha ai.

Krahas kësaj, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se i kanë ofruar mbështetje ushtarake Ukrainës.

“Aleanca e NATO-s ofron lloje të ndryshme të mbështetjes ushtarake. Është e njohur mjaft mirë kjo që aleatët kanë ofruar armatim anti-tank dhe raketa të ndryshme”, tha ai.

Ai tha se avionët e aleancës veri atlantike nuk duhet të operojnë mbi hapësirën ajrore të Ukrainës, derisa paralajmëroi se Rusia mund të përdorë artileri më të rëndë ditëve në vijim duke shtuar viktimat në Ukrainë.

Exit mobile version