UBT News

​Stano: BE-ja e ka parasysh votën e Serbisë kundër Kosovës në KiE

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, tha të martën se janë në dijeni se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, porse nuk ka dashur të përgjigjet nëse BE-ja e konsideron këtë veprim shkelje të Marrëveshjes së Ohrit.

Ndonëse u pyet disa herë nga gazetarët, zëdhënësi i BE-së ka shkurt se “janë në dijeni për atë që ndodhi në Këshillin e Evropës”.

“Mund vetëm të kujtoj se e kemi parasysh votimin dhe atë që ndodhi dje në Këshillin e Evropës, dhe po fokusohemi në pikat si lehtësues të dialogut Prishtinë-Beograd për pikat që u përpoqa t’i numëroj shkurt pak më parë”, tha ai.

Ani pse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq nuk e kanë nënshkruar Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, BE-ja konsideron se ajo është e detyrueshme.

“Diskutimet për nënshkrimin [e marrëveshjeve] janë krejtësisht të kota dhe të parëndësishme. Ekziston një angazhim në nivelin më të lartë politik dhe ai angazhim tani është bërë i detyrueshëm në procesin e anëtarësimit për të dyja palët. Përparimi në dialog dhe zbatimi [i marrëveshjeve] do të reflektohet në rrugëtimin e tyre [të Kosovës dhe Serbisë] evropian”, tha Stano.

I pyetur nëse BE-ja sheh ndonjë lloj përputhje kohore dhe ngjashmëri mes asaj që po ndodh në aspektin e bojkotit të partisë Lista Serbe në Kosovë dhe asaj që po ndodh në Bosnje dhe Hercegovinë, Stano ta se nuk do të bënte ndonjë lidhje.

“Në pyetjen e dytë, unë nuk do të bëja ndonjë lidhje ndërmjet Bosnje-Hercegovinës dhe asaj që po ndodh në dialogun Kosovë-Serbi, këto janë dy çështje të ndryshme që trajtohen në mënyra të ndryshme”, u shpreh ai.

Më 24 prill, Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës votoi që t’i përcjellë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni kërkesën për anëtarësimin e Kosovës. Për këtë vendim, 33 vota ishin për, shtatë kundër dhe pesë abstenime. Ndërsa sot (e martë) vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën u botua në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Exit mobile version