Bashkimi Evropian ka deklaruar se kanë vendosur të ndërmarrin masa ndaj Kosovës, por që të njëjtat nuk janë sanksione. Sipas zëdhënësit Peter Stano, nuk përjashtohet mundësia për masa të tjera nëse Qeveria e Kosovës nuk i përmbush kërkesat e ndërkombëtarëve. Në një konferencë për media, Stano ka thënë se masat ndaj Kosovës nuk janë sanksione.
“Bashkimi Evropian, në përputhje me deklaratën e 27 shteteve anëtare nga 3 qershori, ka përgatitur propozime masash me efekt të menjëhershëm. Këto nuk janë sanksione, në kuptimin e masave kufizuese të fjalës siç i ka Bashkimi Evropian, këto janë masa që duhen marrë me efekt të menjëhershëm. Shtetet anëtare kanë mbështetur dje një sërë masash në lidhje me Kosovën dhe ne ende presim që kryeministri Kurti të zbatojë hapat që nevojiten për deeskalim të menjëhershëm dhe këto masa janë në rritje me pasoja financiare dhe politike, duke filluar me pezullimin e vizitave të nivelit të lartë, të kontakteve dhe ngjarjeve, si dhe bashkëpunimin tonë financiar me Kosovën”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se disa prej masave kanë hyrë në fuqi menjëherë ndërsa të tjera janë duke u diskutuar nga shtetet anëtare.
“Siç e theksova, ka një sërë masash ose propozime për një sërë masash. Disa prej tyre kanë hyrë në fuqi menjëherë, disa prej tyre janë duke u diskutuar më tej dhe shtetet anëtare do të diskutojnë dhe vendosin gradualisht nëse do të vazhdojmë në hapin tjetër, dhe tjetrin, dhe tjetrin. Por spektri është relativisht i gjerë dhe siç thashë, këto janë masa të kthyeshme dhe të përkohshme që do të prezantohen dhe disa prej tyre tashmë po reflektojnë në lidhje me zhvillimet në terren”, ka thënë Stano.
Stano ka theksuar se masat janë të përkohshme “në varësi të hapave të ndërmarrë nga kryeministri Kurti për eskalim të situatës në veri”.
“Natyrisht që këto masa dhe pezullime janë të përkohshme dhe të kthyeshme, në varësi të zhvillimeve në terren dhe hapave të besueshëm, vendimtarë të ndërmarrë nga kryeministri Kurti për deeskalimin e situatës”, ka thënë ai.
Por sipas zëdhënësit të BE-së, Kurti deri tani nuk ka ndërmarrë veprime vendimtare për de-eskalimin e situatës.
“Përkundër thirrjeve tona të vazhdueshme, në këtë rast, kryeministri Kurti deri më tani nuk ka ndërmarrë hapa dhe veprime vendimtare për deeskalimin e situatës. Plani i tij i propozuar prej pesë pikash, të cilin ai e shënoi në letrën e tij drejtuar Përfaqësuesit të Lartë, nuk arrin të adresojë në mënyrë adekuate disa elementë kyçe të cilat nxiten, të cilët janë shkaku kryesor i krizës së fundit dhe të cilat ne presim që ai t’i adresojë urgjentisht me masa vendimtare, dhe ndërsa puna diplomatike vazhdon”, ka thënë ai.
Sipas tij, ngjarjet e djeshme tregojnë se nuk ka de-eskalim të situatës në veri.
“Pra, gjatë ditëve dhe javëve të fundit, ka pasur kontakte shumë intensive të nivelit të lartë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe aleatëve tanë dhe partnerëve nga të dyja palët për të gjetur një mënyrë për të kapërcyer status quo-në në Kosovë, dhe ngjarjet e djeshme kanë treguar dhe vërtetuar se nuk ka de-eskalim, pra eskalimi vazhdon ende. Pra, ne themi se kjo status quo-ja duhet kapërcyer. Duhet të kalojmë sërish nga menaxhimi i krizës në proces të qëndrueshëm dhe qetësia duhet të rikthehet në veri të Kosovës”, ka thënë ai.
Ndërsa të martën është raportuar se Bashkimi Evropian ka përgatitur masa fillestare, si sanksione kundër Kosovës për shkak të mospërfilljes së kërkesave për hapa të menjëhershëm nga Qeveria e Kosovës për uljen e tensioneve në veri.
Sipas këtyre masave, sanksionet do të përfshijnë pezullimin e ftesave për pjesëmarrjen e Kosovës në ngjarjet e nivelit të lartë dhe vizitave dypalëshe nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare. Takime do të ketë vetëm kur ato duhet të zhvillohen për t’u fokusuar në adresimin e krizës në veri të Kosovës dhe hapave për gjetjen e zgjidhjes.