Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) dhe Ministria e Financave sot kanë arritur një marrëveshje për pagesa shtesë për punonjësit e sektorit privat që janë shërbyes në institucionet shtetërore.
Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, në një konferencë për media pas takimit me ministren në detyrë të Financave, Hykmete Bajrami, tha se të gjithë punëtorët e sigurimit fizik dhe higjienik nga muaj shkurt do të marrin nga buxheti i shtetit nga 100 euro.
Azemi tha se Qeveria e Kosovës paraprakisht ka analizuar gjendjen dhe ka garantuar se ka mjete të garantuara për muajin shkurt, mars dhe prill. Teksa shtoi se paga shtesë për muajin shkurt mund të ekzekutohet para fundit të këtij muaji, derisa të përgatiten listat e punëtorëve nga sindikata.
“Pagat do të fillojnë ose stimulimi për muajin shkurt, mars dhe prill janë paga të garantuara, ndërsa për pjesën tjetër ka mbetur që të bisedohet varësisht prej situatës në të cilën jemi. Megjithatë për një pjesë të vogël të punëtorëve të sektorit privat kemi një stimulim që vërtet e kanë merituar. Jemi mbrapa me shumë çështje të tjera, si me pagën minimale, me kontratën kolektive, por megjithatë mendojmë që tash për tash është një moment që nuk mund të bëjmë më tepër”, tha ai.
Përfitues të këtyre mjeteve shtesë për shkak të pandemisë, janë për punëtorët e kompanive private që kryejnë shërbime në spitale, në qendra të mjekësisë familjare dhe ambulanca.
“Ne sot me ministren në detyrë të Financave jemi dakorduar që duhet të fillojë pagesa shtesë me një herë për punëtorët e kompanive private që kryejnë shërbime në spitale, në qendra të mjekësisë familjare dhe ambulancat. Pra, të gjithë këta të cilët punojnë në institucionet shtetërore. Punëtorët të cilët do të kenë një stimulim janë punëtorët higjienikë dhe punëtorët e sigurimit fizik. Pagesa do të fillojë me pagën e muajt shkurt, që do të thotë se në fund të muajt shkurt ne do të kemi stimulimin në pagën e muajt shkurt. Shuma është 100 euro për secilin muaj veç e veç, pagesat janë të garantuara për muajin shkurt, mars dhe prill. Megjithatë, është biseduar për muajin shkurt mars dhe prill, ndërsa pjesa tjetër prej qershorit deri në muajin janar është një procedurë tjetër për të cilën nuk kam marrë garanci se do të paguhet. Por, megjithatë ne kemi shpjeguar që ne kemi filluar rrugën tonë dhe do të luftojmë përmes gjykatës”, tha Azemi.
Ai në fund tha se listat e gjithë këtyre punëtorëve sipas marrëveshjes do t’i bëjë sindikata deri më 10 shkurt.