Trupi gjykues në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit në Hagë, ka pranuar si provë materiale një dokument të propozuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, i cili përmban një listë emrash të disa individëve që pretendohen se janë viktima në këtë çështje gjyqësore.
Kryetari i trupit gjykues, Charles L.Smith tha se ky dokument përmban një listë emrash të identifikuar si bashkëpunëtorë në rajonin e Podujevës.
Pranimi i këtij dokumenti si provë materiale është kundërshtuar nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me arsyetimin se nuk ka themelësi.
“Dokumenti përmban një listë emrash dhe individëve të identifikuar si citoi si bashkëpunëtorë nga rajoni i Podujevës. Mbrojta kundërshton pranimin e këtij dokumenti me arsyetimin se nuk ka themelësi…Dokumenti i propozuar është relevant dhe i qartë lidhur me arsyet që kanë në ndalimin e individëve të caktuar të renditur në dokumentin në fjalë dhe që pretendohen që të jenë viktima të krimeve në çështjen gjyqësore në fjalë. Trupi gjykues është i bindur se dokumenti është autentik dhe provues dhe duket që është faqja e parë e një dokumenti të Policisë Ndërkombëtare të UNMIK-ut, të sekuestruar nga selia e SHIK-ut. Trupi gjykues vëren më tej se ai ka dëgjuar prova që kanë të bëjmë me katër persona që renditen në listën e dokumentit në fjalë që mbështet deri në njëfarë mënyre përmbajtjen dhe besueshmërinë e këtij dokumenti. Nuk ka indikacion për vlerën provuese të këtij dokumenti dhe që kjo vlerë provuese zhbënë paragjykimin ndaj mbrojtjes…trupi gjykues është i bindur që kërkesat e rregullës 138 përmbushen dhe si rezultat e pranon këtë dokument si provë materiale”, tha ai.
Karshi dëshmitarit të tetë në çështjen Thaçi dhe të tjerët, pyetjet i ka përfunduar ZPS-ja, aktualisht mbrojtja e ish-presidentit, Hashim Thaçi ka vazhduar me kundra-pyetje ndaj dëshmitarit të tetë.
Por, me kërkesë të avokati kryesor të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe pyetjet e parashtruara nga ai po bëhen në seancë të mbyllur për publikun.
Gjatë seancës së sotme gjyqësore pyetjet e parashtruara nga ZPS-ja, janë parashtruar karshi dëshmitarit të tetë në seancë private.
Kujtojmë që dëshmitari i tetë i mbrojtur i ZPS-së, dëshminë e tij kundër ish krerëve të UÇK-së e ka nisur nga dje. Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse të palëve.
Para trupit gjykues, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagës prej nëntorit të vitit 2020.