UBT News

​Specializantët protestojnë para MSH-së, kërkojnë ekzekutimin e pagesave shtesë

Dhjetëra specializantë të financuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSh) për shkollim specialistik kanë protestuar për mosekzekutim të shtesave. Specializantët pas disa kërkesave për pagesa shtesë, të martën i zunë derën e ministrisë që udhëhiqet nga Armend Zemaj, për të shpalosur pakënaqësitë e tyre për mospagesa edhe të kujdestarive.

Përfaqësuesja e specializantëve, doktoresha Vlora Demolli kërkoi nga ministri Zemaj që gjithë mjekët të paguhen njësoj, e jo të bëhen dallime ndërmjet tyre.

“Kemi ardhur këtu për shkak të pakënaqësisë që kemi për shkak të mospërfshirjes në subvencione. Është një vendim që ministria e ka marrë për përfshirjen e të gjithë personelit shëndetësor pa marrë parasysh kontrata e punës që i kanë ku përfshihen shtesat. Përveç kësaj neve si specializantë në subvencione nuk janë marrë edhe kujdestaritë me persona Covid që i kemi mbajtur. Përveç shtesave që nuk janë dalë prej gushtit e këndej edhe gjithashtu kemi vonesa të pagave që i kemi pasur paga të rregullta si subvencion prej Ministrisë së Shëndetësisë. Tash jemi në dhjetor dhe akoma nuk i kemi marrë pagat e nëntorit dhe kujdestaritë i kemi të paguara”, tha ajo.

Pavarësisht mospagesave, Demolli tha se do të vazhdojnë të përkujdesen për pacientët.

“Ne si mjek e kemi për detyrë me u përkujdes për pacientët tonë. Por ne kemi parë të arsyeshme që krejt mjekët me u përfaqësua njëjtë. Obligim i joni është me mbajtë kujdestarinë dhe me u përkujdes për pacientët. Mirëpo pagesa duhet me u bë njëjtë dhe të trajtohemi të gjithë njëjtë, pasi punën e bëjmë, ama pagesa nuk marrim”, tha ajo.

Specializantët edhe në të kaluarën kanë protestuar duke i kërkuar shtesat e premtuara nga ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Exit mobile version