UBT News

​Sot takimi në Bruksel, BE-ja pret konstruktivitet nga Kurti e Vuçiq

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borell, sot (e enjte) do të zhvillojë takime në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq. Megjithatë, ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh për të diskutuar për deeskalimin e situatës në veri të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar, zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Nabila Massrali, në një konferencë për media.

“Sapo kemi publikuar tashmë komunikatën për media dhe shpresoj ta keni parë, takimi duhet të fillojë në orën 14:00 dhe siç thuhet në komunikatën për media, diskutimet do të fokusohen në gjetjen e rrugës për të de-përshkallëzuar tensionet aktuale për t’iu rikthyer zbatimit të marrëveshjeve të dialogut, në veçanti marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit”, tha ajo.

Përfaqësuesja e BE-së kërkoi nga Kurti dhe Vuçiq të tregohen konstruktiv për gjetjen e një zgjidhjeje për de-eskalimin e situatës në veri.

“Shikoni, ajo që mund të them në këtë fazë është se të dy liderët do të jenë sot në Bruksel për diskutime. Unë nuk do të paragjykoj se si do të shkojnë gjërat. Është pak herët. Diskutimet e pasdites së sotme janë një mundësi që u ofrohet të dy liderëve për të treguar gatishmërinë për të qenë konstruktiv dhe për de-përshkallëzim, dhe përgjegjësia për të gjetur zgjidhje është e palëve dhe ne presim që ato të angazhohen në mënyrë konstruktive, kjo është ajo që mund të them tani… Ajo që po them është se nuk mund të paragjykoj se si takimi do të shkojë. Është pikëpyetje. Në këtë pikë, mendoj se duhet të fokusohemi te takimi, të shohim se çfarë do të ndodhë në këtë takim dhe pastaj t’i përgjigjemi pyetjes suaj. Por le të ndalemi te takimi i sotëm”, shtoi ajo.

Pas takimeve është paralajmëruar që Borrell të prononcohet për mediat. Pjesëmarrjen në takimin e sotëm kryeministri Kurti e ka konfirmuar ditë më parë, ndërsa presidenti serb, Vuçiq, ka qenë hezitues për takim trepalësh edhe me kryeministrin Kurti në Bruksel.

Exit mobile version