Sot në Gjykatën Speciale në Hagë, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet konferenca e radhës për ecurinë e çështjes së rastit ndaj krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.
Gucati dhe Haradinaj po vazhdojnë të mbahen në paraburgim që nga viti i kaluar, nën akuzat për vepra penale të pengimit të administrimit të drejtësisë.
Pak muaj pas arrestimit, prokurorët e specializuar kishin ngritur aktakuzë ndaj tyre, e cila ishte konfirmuar më 14 dhjetor 2020.
Sipas aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj, në prill dhe shtator 2020, bënë deklarata akuzuese për dëshmitarët që bashkëpunojnë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe persona tjerë.
Prokuroria i ngarkon ata për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.
Më 25 shtator 2020, Gucati dhe Haradinaj u arrestuan si të dyshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, me mbështetjen e EULEX-it dhe policisë së Kosovës dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Me konfirmimin e aktakuzës, Gucati dhe Haradinaj kanë statusin e të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të UÇK-së, Nasim Haradinaj, ka dërguar në Gjykatën e Apelit vazhdimin e paraburgimit të tij nga Dhomat e Specializuara.
Më 24 dhjetor 2020, gjykatësi i procedurës paraprake vendosi që t’i vazhdohet paraburgimi Haradinajt dhe mohoi kërkesën e tij për një seancë dëgjimore për këtë çështje.
Më 5 janar Haradinaj ka apeluar ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit, por Paneli i Gjykatës së Apelit pranë Dhomave të Specializuara ka refuzuar apelin e Nasim Haradinaj kundër vendimit për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim.
Gucati dhe Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që i ngarkojnë ata.