UBT News

​Sot nis gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt

Sot në Gjykatën Speciale për krime lufte në Hagë, do të nisë procesi i rregullt gjyqësor ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj

Në konferencën përgatitore të mbajtur para një muaj u bë e ditur se procesi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt gjithashtu synohet të përfundojë më 17 dhjetor të vitit 2021.

Kryetari i trupit gjykues Charles L. Smith ka deklaruar se Zyra a Prokurorit të Specializuar (ZPS) duhet të lexojë gjithë aktakuzën në versionin e redaktuar, në fillimin e procesit të gjykimit. Për këtë gjë, mbrojtja e Gucatit dhe Haradiajt ka kërkuar që aktakuza të lexohet tërësisht në publik, meqë siç ka theksuar, gjyqi është publik.

ZPS ka deklaruar që parashikojnë mbajtjen e dy deri në tri seancave për fjalën hapëse me rreth katër orë material audio-vizual, në fillim të procesit të gjykimit.

Kryetari i trupit gjykues Smith ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që t’ia japë mbrojtjes listën e provave materiale brenda 24 orëve para hapjes së çështjes, përfshirë këtu edhe videot të cilat planifikohen të përdoren si prova materiale prej ZPS-së.

Sipas trupit gjykues, prezantimi i ZPS-së duhet të përfundojë më 18 tetor 2021, ndërsa ZPS-ja duhet ta përfundojë marrjen në pyetje të dëshmitarëve të saj brenda katër seancave. Për kohën e kundër-pyetjeve nga ana e mbrojtjes, trupi gjykues nuk ka përcaktuar një afat, por kryetari i trupit gjykues ka deklaruar se do të ndërhyjnë në kohë nëse është e nevojshme.

Akuza ndaj kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës e UÇK-së Hysni Gucati dhe ndaj nënkryetarit të saj Nasim Haradinaj u konfirmua më 14 dhjetor 2020. Ajo mbështetet në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate.

Gucati dhe Haradinaj kanë mohuar akuzat. Ata janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë.

Exit mobile version