Gjatë ditës së sotme pritet të merret vendimi rreth ankesës së Lëvizjes Vetëvendosje dhe organizatës “Germin” për vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për votat e diasporës.
Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Mulë Desku nga Paneli Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP). Ai tha se pas marrjes së vendimit i njëjti do të publikohet në web faqe.
“Ankesat janë duke u shqyrtuar, normalisht prej momentit të dorëzimit të tyre 72 orë janë kohë për t’u shqyrtuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa dhe besoj që brenda këtij afati do të vendoset për këto ankesa. Sot do të vendoset për ankesat dhe do të dilet me vendim, i cili do të bëhet publik edhe në web faqe, po besoj që pas 12:00 apo 13:00 do të bëhet publik në web faqe”, tha Desku për KosovaPress.
Kujtojmë që në mbledhjen e së hënës, pa asnjë kundërshtim nga anëtarët, është vendosur verifikimi i personave jashtë Kosovës që duan të votojnë të bëhet duke i telefonuar ata, dhe nëse të njëjtit nuk përgjigjen, aplikimi i tyre për votim refuzohet.
E që sipas “Germin”, vendimi i KQZ-së, është jo-kushtetues dhe i njëjti duhet të hidhet poshtë në tërësi meqë i njëjti sipas tij shkelë të drejtat themelore të qytetarëve për të marrë pjesë në zgjedhje.
Ndërkaq në një nga mbledhjet e KQZ, kryetarja e këtij komisioni, Valdete Daka, ka thënë se aplikuesit e regjistruar për t’u konfirmuar do të telefonohen në tri faza.
Thirrja e parë realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale të Kosovës, thirrja e dytë realizohet dhe bëhen tentime të tjera gjatë orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit dhe vendbanimit ku gjendet aplikuesi i shënuar në aplikacion. Dhe nëse aplikuesi nuk e hap telefonin as sipas pikës B do të bëhet tentimi edhe pas orarit të rregullt të punës sipas kohës lokale të shtetit të vendbanimit ku ndodhet aplikuesi i shënuar në aplikacion.
Nga 13 janari 2021 ka filluar periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës dhe do përfundoj më 21 janar 2021 në orën 18:00. Ndërsa zgjedhjet e parakohshme do të mbahen me 14 shkurt 2021.