UBT News

​Sot fillon numërimi i votave me postë për komunën e Dragashit

Sot do të fillojë numërimi i votave të pranuara nga jashtë vendit e të cilat i takojnë përsëritjes së raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar të komunës së Dragashit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi ka bërë të ditur se pakot e supozuara me fletëvotime që janë pranuar është 381.

“Të hënën në mesnatë ka përfunduar afati 15 ditor për pranimin e fletëvotimeve nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 381. Numërimi i fletëvotimeve do të bëhet këtë të martë, në orën 15:00, në QNR”, ka treguar Elezi.

Sot në ora 13:00 do të mblidhet edhe KQZ.

Të drejtën për të votuar përmes postës për këtë raund zgjedhjes e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.

Me votat nga jashtë Xheladini kishte përmbysur rezultatin në balotazh ku garon me Shaban Shabanin e PDK-së.

Votimi përmes postës për Dragashin nis më 29 nëntor pasi që Gjykata Supreme urdhëroi KQZ-në që të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ishte ankuar në Supreme, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) kishte vendosur të anulonte tërësisht votat nga jashtë.

Supremja pranoi pjesërisht ankesën e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, ka reaguar kërkesën e Xheladinit që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.

Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash, ku pas numërimit të votave i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK, kurse me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.

Exit mobile version