Kuvendi i Kosovës nuk ka miratuar mocionin e parashtruar nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të mbajtur një seancë të jashtëzakonshme, lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. Pro këtij propozimi votuan vetëm 13 deputetë, ndërsa 55 deputetë të mazhorancës votuan kundër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh i gatshëm për të diskutuar për dialogun dhe planin e BE-së për dialogun me Serbinë, por jo sot “shkel e shko”, pasi ka pika të rëndësishme në agjendën e sotme parlamentare.
“Bisedimet për bazën e propozimit evropian nuk kanë filluar ende, por po diskutohet dhe bisedohet për propozimin, por jo për bazën e propozimit. Andaj unë do të kisha sugjeruar, por natyrisht kuvendi vendos. Nuk do të ketë as nesër, as pasnesër dhe as në fillim të javës së ardhshme takim në Bruksel. Pasi s’ka ftesë, nuk është diçka urgjente, unë javën e kaluar kam thënë thirrni seancë të Kuvendit. Nëse nuk e kemi bërë javën e kaluar siç duhet, mos të bëjmë sot për sot, pasi ka shumë pika të rëndësishme. Por lirisht, kur doni edhe unë po sjell më shumë ministra se zakonisht dhe disa deputetë që nuk janë dhe të bëjmë diskutimin të hapur dhe të thellë. Vetëm nuk jam duke bërë shkel e shko”, tha ai.