Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për votimin e raportit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Vetëm 59 deputetë kanë votuar për këtë raport, ndërkaq që të pranishëm kanë qenë 69 përfaqësues të legjislativit.
Kështu ka njoftuar në seancë plenare, kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje.
“Vetëm 59 deputetë të kuvendit kanë votuar për këtë raport. Kështu që nuk ka kuorum për të vendosur kuvendi për këtë raport”, ka njoftuar Konjufca.
Në emër të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, deputeti Enver Dugolli ka kërkuar nga Kuvendi që të miratohet raporti vjetor i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021.
“Të miratohet raporti i punës i Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021. Arsyetim: në bazë të nenit 66 të Ligjit 06-L-082 për mbrojtjen e të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi duhet t’i paraqes Kuvendit të Kosovës raport vjetor të punës dhe duhet ta publikojë atë jo më vonë 31 mars të vitit vijues. Në pajtim me dispozitat ligjore, Agjencia për Informim dhe Privatësi i ka paraqitur kuvendit raportin e punës për vitin 2021, i cili përmban të dhënat dhe veprimet e këtij institucioni në fushën e qasjes në dokumente publike dhe mbrojtjes së të dhënave personave”, ka thënë ai.
Edhe në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, Dugolli ka thënë se ky raport përmbush standardet dhe kriteret e përcaktuara dhe se pasqyrohet një punë e mirë që ka bërë agjencia gjatë vitit të kaluar. Numri total i qytetarëve që kanë bërë kërkesë për qasje në dokumente publike është mbi shtatë mijë.
“Sipas këtij raporti të punës, Agjencia për Informim dhe Privatësi gjatë këtij viti u ka dhënë 22 këshilla institucioneve të ndryshme lidhur me zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, ka trajtuar 35 ankesa. Sipas raportit, ankesat kryesisht kanë të bëjnë me përpunimin e të dhënave personale përmes sistemit të vëzhgimit të kamerave, përpunimi i të dhënave të zyrtarëve publik, qasje në të dhënat e subjekteve, përpunimi i të dhënave për marketing të drejtpërdrejt. Në fushën e qasjes në dokumente publike, Agjencia ka përpunuar 139 ankesa të pranuara nga qytetarët për heshtje apo refuzim të kërkesave në qasje në dokumente publike”, ka thënë ai.
Në emër të PDK-së, Rashit Qalaj ka shprehur përkrahjen për miratimin e këtij raporti, megjithatë tha se sfidë kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore.
Qalaj: Edhe PDK e përkrah raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi
(Video)
“Edhe ne në Partinë Demokratike të Kosovës e përkrahim raportin e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. Konsideroj që është një raport mjaft i punuar në mënyrë profesionale, i cili paraqet të gjitha aktivitetet që Agjencia i ka bërë gjatë vitit të kaluar….Megjithatë, po e shtoj që agjencioni i ka disa sfida të cilat duhet ne si deputetë t’i ndihmojmë. Sfida kryesore e agjencisë është mungesa e kapaciteteve njerëzore brenda agjencisë. Mund të them që numri i kufizuar i burimeve njerëzore përmban rrezik për mos realizimin e objektivave të planit të performancës”, ka thënë ai.