UBT News

​S’ka kuorum për votimin e Projektligjit për Prokurorin e Shtetit

Në seancën e sotme plenare nuk ka pasur kuorum për votimin e amendamenteve për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit. Në votim kanë marrë pjesë vetëm 50 deputetë dhe seanca është përcjellë me mungesë kuorumi edhe për projektligje të tjera.

Deputeti Driton Selmanaj nga Komisioni për Legjislacion ka thënë se janë nxjerrë 34 amendamente për Projektligjin për Prokurorin e Shtetit.

“Ne si grup punues e kemi trajtuar me kujdes dhe kemi përfshirë të gjitha grupet e interesit në draftimin e këtij projektligji. Janë nxjerrë disa amendamente të cilat kanë marrë konsensusin e plotë të gjithë akterëve të përfshirë. Unë në emër të komisionit kërkoj që deputetët ta votojnë këtë projektligj”, ka thënë Selmanaj.

Për votimin e këtyre amendamenteve nuk ka pasur kuorum.

“Vetëm 50 deputetë po marrin pjesë në votim, asnjë kundër, asnjë abstenim. Nuk ka kuorum Kuvendi për t’i miratuar këto amendamente, kështu që i barten seancës së radhës”, ka thënë Konjufca.

Mungesë të kuorumit ka pasur edhe për votimin e projektligjit për racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive. Votimi i amendamenteve bashkë me projektligjin janë bartur në seancën e radhës.

Vota të mjaftueshme nuk ka pasur as për votimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit “Sistemi për Menaxhimin e Pagave”.

Vetëm 49 deputetë kanë marrë pjesë edhe në votimin e rekomandimeve lidhur me raportimin e auditimit: “Funksionimi i sistemit të Grantit të Performancës Komunale dhe menaxhimi i projekteve të financuara nga Donatorët për vitin 2021”.

Por, deputetët kanë miratuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.

Exit mobile version