Pas dorëheqjes së policëve serbë nga detyra, situata e përgjithshme e sigurisë në kufijtë veriorë të vendit Jarinje dhe Bërnjak, është e qetë dhe pa ndonjë incident.
Zyrtarët policorë në kufi thonë se gjithçka është duke shkuar sipas planit dhe pa probleme, ndërsa pas dorëheqjes së policëve serbë nga këto pika kufitare, numri i kolegëve të tyre shqiptarë është shtuar.
Krejt pranë kufirit të Jarinjes ndodhen dy automjete të EULEX-it me pjesëtarët e tyre, ndërsa rreth një kilometër më larg janë të vendosur pjesëtarë të Njësisë për Reagim të Shpejtë të Policisë së Kosovës.
Përgjatë magjistrales Mitrovicë-Leposaviq vërehen flamuj të Serbisë të vendosura gjithandej dhe në numër më të madh sesa më herët, ndërsa afër fshatit Soçanicë serbët kanë vendosur në urën e hekurt mbishkrimin “Këtu është Serbi”. Situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Bërnjak.